E Diel, 1 Nëntor 2026

Thaçi: Kurrfarë dialogu me Serbinë për veriun e Kosovës

Deklarata

Në një intervistë për “Botën sot”, të publikuar në numrin e sotshëm, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në mënyrë kategorike ka mohuar të jetë ofruar ndonjë model për veriun e vendit, madje ai thotë se nuk do të ketë as dialog për këtë çështje. Pas vizitës në SHBA dhe vendimit të rëndësishëm për Kosovën në GJND, Kryeministri i vendit duket më i relaksuar. Megjithatë pranon se vendin e presin angazhime të tjera, si në procesin e lobimit për njohje të reja, ashtu edhe në procesin për t’u integruar në strukturat euroatlantike. Qeveria e tij nuk mjaftohet me kaq, si duket pas këtij vendimi, ndër më të rëndësishmit pas pavarësisë së Kosovës, do të fillojë betejat si në arenën ndërkombëtare ashtu edhe në atë vendore. 
I pyetur se çfarë po e zbeh vendimin e GJND-së apo pse po flitet për aq shumë pengesa, që nga vetë BE-ja e tutje, Kryeministri Thaçi u përgjigj se fitoren historike të diplomacisë së Kosovës në opinionin pozitiv të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për statusin politik të Kosovës, për shtetin e pavarur dhe sovran nuk mund ta zbehë askush në asnjë rrethanë. Përkundrazi, kjo fitore vetëm sa do të afirmohet. Kjo fitore e qeverisë së Kosovës, e institucioneve dhe e popullit të Kosovës do të vlerësohet jashtëzakonisht shumë, do të ketë të mirat e veta në kuptimin e gjithanshëm të progresit të zhvillimit, të konsolidimit dhe forcimit të shtetit tonë, të njohjeve të reja, të përshpejtimit të procesit për t’u integruar në NATO, BE dhe në OKB. Opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare është një njohje e gjerë ndërkombëtare për shtetin tonë të pavarur dhe sovran. është një hapje e kapitullit të ri për të ardhmen më të mirë të Kosovës, por edhe gjithë rajonit. Kjo është një fitore më tepër se vetëm e Kosovës, është fitore e gjithë rajonit, prandaj dua të besoj fuqishëm se këtë sukses do ta prezantojmë, do ta afirmojmë dhe do ta jetësojë edhe në praktikë për të mirën e shtetit dhe qytetarëve të vendit.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›