E Diel, 1 Nëntor 2026

Godo, apel Presidentit Topi: Kujdes me zëvendësimet në gjykata!

“E domosdoshme prania e opozitës në Parlament, gjatë votimit të këtyre anëtarëve”

Emrat e anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese duhet të diskutohen në mënyrë të gjerë, me shoqërinë civile dhe Presidenti Topi duhet t’i bëjë kandidaturat menjëherë publike. Ky është rekomandimi që jep politikani i vjetër, njëkohësisht bashkautori i Kushtetutës së Shqipërisë, Sabri Godo, në një prononcim për gazetën “Shqip”. Sipas republikanit Godo, duke nisur nga mesi i këtij muaji disave prej anëtarëve të kësaj gjykate u skadon mandati dhe zëvendësimi i tyre është një sfidë për drejtësinë dhe demokracinë shqiptare. Në këtë kuadër, Godo kërkon fillimisht që të jetë Presidenti Topi i cili këtë javë të nxjerrë një njoftim në lidhje me kandidaturat që do të zëvendësojnë anëtarët aktualë, në mënyrë që shoqëria civile të ketë kohë të shprehë qëndrimin e saj në lidhje me emrat. “Do të ishte mirë që kandidaturat të ishin shpallur më parë, kështu do të kishte mundësi që të dëgjohej edhe zëri i opinionit të shoqërisë civile. Duhet të kishte më tepër kohë për t’u bërë një seleksionim, të kishin kaluar në sitë siç duhej këta njerëz”, thekson Godo. Sipas tij, kjo është një çështje shumë delikate dhe kushtëzohet nga koha e pakët në dispozicion për përzgjedhje. Për më tepër, republikani Godo thekson se Shqipëria ka pasur gjithmonë probleme me sistemin e drejtësisë dhe përzgjedhja e anëtarëve të një institucioni kaq të rëndësishëm siç është Gjykata Kushtetuese kërkon përkujdesje të madhe. Nga ana tjetër, Godo e shikon si të domosdoshme praninë e opozitës në Parlament, gjatë votimit të këtyre anëtarëve. Sipas tij, mandati i tyre shtatëvjeçar është një arsye tepër e fortë për të pasur edhe një mendim institucional të përfaqësuesve të opozitës në lidhje me këtë përzgjedhje. “Duhet menduar për një afat shumë të gjatë, duhet menduar për të vendosur aty njerëzit më të kualifikuar dhe të aftë, sepse nga aty fillojnë të hidhen edhe themelet e demokracisë”, thekson politikani i vjetër. Sipas tij, drejtësia rëndon njësoj si për mazhorancën edhe për opozitën dhe në këto kushte vëmendja në përzgjedhje duhet të jetë maksimale. “është e nevojshme që në institucione të tilla të kemi vërtet njerëz të pavarur, të pandikuar nga politika, sepse sot është radha e një pale, nesër do të jetë e një palë tjetër”, vlerëson Godo. Por, republikani thekson se kjo përzgjedhje nga ana e minorancës nuk mund të ndiqet nga jashtë Kuvendit, por përfaqësuesit e opozitës duhet të jenë pjesë e një përzgjedhjeje serioze brenda institucioneve demokratike të shtetit. Po kështu, Godo rekomandon që politika të ndalojë së ushtruari presion ndaj anëtarëve të institucioneve të tilla, për t’i pasur në krahun e saj. Nisur nga kjo, Godo pohon se të dy krahët kryesorë të politikës kanë provuar që të kenë në kontrollin e tyre përfaqësuesit e institucioneve të pavarura në vend, praktikë kjo e dënueshme dhe komprometuese për një sistem të lirë demokratik. Me mbarimin e mandatit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese duke nisur nga mesi i këtij muaji, pritet që palët politike në vend të përfshihen nga një debat i ri, nisur edhe nga rëndësia e çështjeve që këta gjyqtarë pritet të shqyrtojnë gjatë punës së tyre.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›