E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjejnë bar miu te kazanët e plehrave, rrezikojnë jetën katër të mitur

Elbasan Fëmijët e vetëhelmuar dërgohen në Tiranë. Dalin nga gjendja kritike

Luajnë te kazanët e plehrave, helmohen aksidentalisht me bar miu katër të mitur nga një lagje periferike e qytetit të Elbasanit. Fëmijët janë dërguar me urgjencë për ndihmë mjekësore fillimisht në spitalin kirurgjikal të Elbasanit dhe më tej në kryeqytet, për ndihmë më të specializuar. Burime spitalore bëjnë të ditur se jeta e tyre është jashtë rrezikut për jetën, por do të mbahen për disa kohë nën trajtim mjekësor. Ngjarja ka ndodhur në lagjen ish-NSHU, në periferi të qytetit të Elbasanit, në dalje të urës së Zaranikës paraditen e djeshme. Mësohet se dy motrat A. dhe R. Petrela, përkatësisht 2 dhe 3 vjeçe, si dhe fëmijët e xhaxhait të tyre, motër e vëlla M. dhe V. Petrela, përkatësisht 6 dhe 8 vjeç, kanë qenë duke luajtur pranë shtëpisë kur kanë gjetur bar miu dhe janë vetëhelmuar. Fëmijët më të rritur kanë mundur të tregojnë se duke luajtur me shkopinj në kazanët e plehrave, kanë gjetur një qese, e cila ka rezultuar të ketë pasur helm për brejtësit. Vogëlushët kanë gëlltitur kokrrat që ndodheshin në qese, duke u vetëhelmuar. Kanë qenë prindërit e tyre që, pasi kanë vënë re shqetësimet e para të fëmijëve, i kanë çuar menjëherë në spitalin kirurgjikal të Elbasanit.

Ndërhyrja e mjekëve të qytetit ka qenë e shpejtë, por edhe pse mjekët pediatër u kanë dhënë ndihmën e parë katër fëmijëve, janë detyruar t’i dërgojnë ata për një trajtim mjekësor më të kualifikuar në spitalin pediatrik të Qendrës Spitalore në Tiranë. Sipas përgjegjësit të pavijonit të pediatrisë, mjekut Edmond Laho, gjendja e vogëlushëve ka qenë mjaft kritike, ndaj dhe u dërguan për në spitalin e kryeqytetit. Ndërkohë, policia pas sinjalizimit ka shkuar menjëherë në vendngjarje dhe ka nisur menjëherë hetimet për ngjarjen e rëndë që për pak u mori jetën katër të miturve. I pyetur rreth ngjarjes në fjalë, shefi i Komisariatit të qytetit të Elbasanit, Sejfulla Metko, ka pohuar për “Shqip” se “ne jemi ende duke hetuar për rastin e helmimit të katër fëmijëve dhe mund të them paraprakisht se ngjarja është aksidentale dhe mund të konsiderohet pa autor. Sidoqoftë, ende nuk kemi dalë me një konkluzion zyrtar, përderisa nuk është dhënë ndonjë përfundim i saktë nga grupi i ekspertëve pranë drejtorisë që po merren me hetimin e kësaj çështjeje”.

Ky është rasti i dytë brenda këtij viti i helmimit të fëmijëve për shkaqe aksidentale. Vetëm një muaj më parë, dy të mitur u vetëhelmuan, por fatmirësisht nuk patën probleme serioze për jetën.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›