E Diel, 1 Nëntor 2026

Karburanti për makinat e zyrtarëve, miratohet kufiri i lejuar për shpenzimet

Lista Policia dhe ushtria, përfituesit e mëdhenj. U kursyen 7 milionë dollarë

Ministria e Financave i vendos një kufi çdo institucioni sa u takon shpenzimeve për karburantin që përdoret te mjetet e transportit. Pas dekretimit të ligjit nga Presidenti i Republikës, ekspertët e Financave hartuan një listë me të gjitha institucionet që prekeshin nga ligji i ri, duke vendosur kufi për shpenzimet, bazuar mbi reduktimin e mjeteve të transportit. Totali i shpenzimeve të lejuara është rreth 24 milionë dollarë, nga 30 milionë që ishte në 2008-n, ndërsa për 2009-n nuk ka një të dhënë të saktë. Ligji i ri parashikonte reduktimin e mjeteve të transportit për zyrtarët e lartë, drejtorët dhe deputetët, nisur nga niveli i lartë i shpenzimeve, të cilat preknin 10 për qind të totalit të fondeve korrente. Sipas listës së re, ashtu siç pritej, ministritë që mbulojnë ushtrinë dhe rendin do të kenë më shumë fonde në dispozicion. Kështu, Ministria e Mbrojtjes do të ketë një kufi shpenzimesh prej 700 milionë lekësh, ndërsa Ministria e Brendshme 650 milionë lekësh.

Sa u takon tri institucioneve kryesore, Presidencës i janë vënë në dispozicion 13.5 milionë lekë, Kuvendit 12 milionë lekë, ndërsa Kryeministrisë 15 milionë lekë. Duke parë buxhetin e tyre të një viti më parë dhe aktualin, është e pamundur të dilet me një krahasim të plotë, se sa u janë ulur shpenzimet për transportin, por totali sipas Financave është më i ulët se ai i 2008-s.

Në dokumentin zyrtar që shoqëronte ligjin e ri për makinat e zyrtarëve thuhej se në inventar kemi 374 automjete dhe 280 shoferë, që u shërbejnë ministrive dhe institucioneve qendrore. Kostoja mesatare e këtij shërbimi është 137710 lekë në muaj. Ndërkohë, për institucionet e varësisë vërehet një numër më i lartë i automjeteve, të rritura çdo vit, ku përmendej shifra 3000 mjete transporti për institucionet e varësisë dhe rajonale, pa përfshirë këtu makinat e Ministrisë së Brendshme (policia) dhe Mbrojtja (ushtria).

Sa u takon mjeteve të transportit të dala tepër në inventar nga ligji ri, qeveria ka menduar t’ua shesë me ankand vetë zyrtarëve që i kishin më parë në përdorim. Përveç këtij favorizimi, makinat do t’u shiten përmes një formule që e redukton çmimin deri me 50 për qind. Deri tani nuk ka një shifër të saktë të vlerës së automjeteve dhe deri ku ka ecur zbatimi i ligjit. Aktualisht konfirmohet vetëm institucioni i Kuvendit, i cili pas vlerësimit të automjetit ia ka paraqitur deputetit për ta blerë.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›