E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shitja e aseteve, Majko: Po pastrohen para të pista

Deputeti i PS-së, Majko nuk është dakord që në procesin e privatizimit të aseteve shtetërore, pronarët të kenë të drejtën e parablerjes


TIRANË- Partia Socialiste hedh dyshime se procesi i privatizimit të gjithçkaje shtetërore lidhet me një proces pastrimi parash të pista. Deputeti i PS-së, Pandeli Majko, ka ngritur dje shqetësimin, një ditë pasi Ministri i Ekonomisë Tregtisë së Energjetikës, Dritan Prifti, konfirmoi përfundimin e listës me asetet shtetërore, të cilat do të nxirren në shitje brenda një periudhe kohore të shkurtër.


Janë mbi 250 fabrika, ndërmarrje apo uzina që deri më tani kanë qenë pronë shtetërore që do të futen në procesin e privatizimit. Për hartimin e një liste me të gjitha asetet, qeveria ka angazhuar rreth 100 nënpunës të administratës shtetërore, ndërsa me fillimin e valës së re të shitjeve të aseteve shtetërore qeveria parashikon që brenda vitit të arrijë të mbledhë në buxhet rreth 100 milionë euro.


"Kjo përkthehet pak a shumë me mbylljen përfundimtare të mundësisë për kthim dhe kompensim në natyrë të pronarëve të vjetër të Shqipërisë. Kjo thellohet edhe më tutje, duke dëgjuar përfaqësuesit e qeverisë se pronarët e vjetër në momentin e shitjes së të ashtuquajturave prona shtetërore kur janë vetë pronarë të sipërfaqes në fjalë kanë të drejtën e parablerjes.


Boll dhe kaq dhe arrin të kuptosh se ne ç'nivel është sot marrëdhënia legale me pronën në Republikën e Shqipërisë. Ngre një pyetje shumë të rëndësishme për fatin dhe në ç'duar do të venë pronat që kanë dalë ose që do të dalin në ankand për t'u privatizuar.


Problemi është që pronat në Republikën e Shqipërisë të mos vijnë si një proces pastrimi parash",- tha Majko. Qeveria ka vendosur që pronarëve gjatë procesit të privatizimit t'u njihet e drejta e parablerjes. Pra nëse ndodh që një uzinë apo fabrikë të jetë ndërtuar mbi pronën e një pronari të ligjshëm, ky i fundit ka të drejtën e parablerjes së asetit.


Por jo normale e ka quajtur deputeti Majko qëndrimin e qeverisë për t'i dhënë pronarëve të drejtën e parablerjes, pasi në këtë mënyrë, sipas tij pronarët detyrohen të blejnë diçka që është e tyre. Sipas vendimit të qeverisë, nëse nuk ka interes nga pronari, aseti shitet duke kaluar në procedura normale të tenderimit. E njëjta gjë do të ndodhë me ndërmarrjet të cilat janë dhënë me qira.


Ndërkohë investitorit do ti lindë e drejta për të parablerë asetin atëherë kur ai ka investuar më shumë se 150 për qind të vlerës së saj mbi atë aset. Në listën e shitjeve përfshihen aksionet shtetërore në Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes, Albtelekom, ARMO, etj. Ndërkohë, janë më shumë se 450 reparte ushtarake në të gjithë vendin që pritet të ndryshojnë pronarë në një periudhë të afërt. Lista ka mbërritur tashmë në Ministrinë e Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës e cila do të merret edhe me shitjen e tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›