Golfi përplas mjetet e parkuara, 1 i vdekur
SARANDE – Aksident i rëndë me pasojë vdekjen e një 22-vjeçari dhe plagosjen e një tjetër të riu u shënua në Sarandë mbrëmjen e së hënës. Një mjet Wolsvagen me targa të Sarandës është përplasur me tre makina të tjera të parkuara. Aksidenti i rëndë është regjistruar mbrëmjen e së hënës, rreth orës 23.30, në hyrje të rrugës nr 4, të qytetit. Mjeti Wolksvagen që drejtohej nga shtetasi Ilir Jonuzi, 35 vjeç, nga Saranda, është përplasur me tri mjete të tjera, që për momentin ndodheshin të parkuara në këtë lagje. Së bashku me Jonuzin, në makinë ndodhej edhe 22- vjeçari Orges Mjeshtri, bëri të ditur Policia e Sarandës pas ngjarjes. Mësohet se viktima Orges Mjeshtri ka mbetur i plagosur rëndë dhe ka ndërruar jetë në spitalin e këtij qytetit. Ai ishte nga Librazhdi, por prej disa kohësh ishte i punësuar në biznesin e 35-vjeçarit si gomist. Burimet spitalore bënë të ditur se edhe pse i plagosuri Mjeshtri iu nënshtrua ndihmës së shpejtë mjekësore, për shkak të gjendjes së tij tepër të rëndë nuk ka mundur dot të mbijetojë, duke humbur kështu jetën vetëm gjysmë ore pas mbërritjes së tij në spital. Ndërsa 35-vjeçari Ilir Jonuzi ndodhet në spitalin e qytetit jashtë rrezikut për jetën. Sipas specialistëve të qarkullimit rrugor, mësohet se ka qenë shpejtësia e madhe ajo që shkaktoi këtë aksident të rëndë, ku veç viktimës e të plagosurit, janë shkatërruar edhe tri mjete. sh.d