Goli i Bogdanit i jep fitoren Chievos - ( VIDEO )

ASA (Albania Sport Agency- Erjon Bogdani është rikthyer sërish si protagonist për Chievon në ndeshjen e tij të 100-të në Serie A. Megjithëse është futur në lojë si zëvendësues në përballjen e së dielës përballë Livornos, "ErBomber" ka qenë njëriu i ndeshjes duke shënuar golin e fitores për veronezët që me këtë fitore kanë bërë një hap të madh për të siguruar mbijetesën në mesin e më të mirëve të futbollit italian. Sulmuesi shqiptar që është hedhur në fushë nga trajneri Del Neri në minutën e 68-të në vend të Semiolit ka arsyetuar besimin duke shënuar me kokë pas një goditjeje nga këndi të krosuar nga Luciano.
Mediat italiane e kanë cilësuar shqiptarin si një ndër futbollistët më të mirë të ndeshjes për Chievon bashkë me portierin Squizzi dhe mbrojtësin Mantovani.
Ky është goli i 7-të i Bogdanit në këtë edicion të Serie A dhe i pesti me fanellën e Chievos (dy gola i kishte shënuar në pjesën e parë të sezonit me Sienën). Kur kanë mbetur edhe pesë javë deri në fund të kampionatit Bogdanit i nevojiten edhe pesë gola për të barazuar shifrën e golave që ka shënuar një sezon më parë në Serie A.