Partizani kërkon finalen e edicionit te 55-të të Kupës

ASA (Albania Sport Agency) - Partizani regjistroi të shtunën fitoren e tretë sezonale me Apoloninë, që përkoi edhe rekordin sezonal të një serie prej gjashtë fitoresh, që mbajtën 15-herë kampionin e Shqipërisë në garën për vendin e dytë, kur të kuqtë e Likës pesë javë para përfundimit të sezonit ndodhen në vendin e tretë, gjashtë pikë larg Tiranës kryesesë dhe një më pak se Vllaznia e vendit të dytë.
Golat e mbrojtësit Rrahman Hallacit në pjesën e parë dhe kapitenit Ardit Beqirit në fraksionin e dytë të ndeshjes, cuan në përsëritjen e fitores 2-0 së të kuqve, ashtu sic bënë në fazën e parë, por me ndryshimin se rezultati i javës 12 u arrit atëherë në transfertën e "Loni Papuciut".
Partizani, rekordmeni i Kupës së Shqipërisë me 15 trofe, do të përballet ditën e mërkurë në "Qemal Stafa" me Teutën, tri herë fituese më 1995, 2000 dhe 2005.
Rezultati i takimit të parë në "Niko Dovana" prodhoi një rezultat pa gola dhe shanset për kualifikim në finalen e edicionit të 55-të të Kupës së Shqipërisë mbeten njëlloj të hapura për të dy ekipet.
Statistikat edicionit të 2004-2005, kur të dy ekipet u përballën në gjysëmfinale, panë skuadrën durrsake si të kualifikuar me gol në fushën kundërshtare, kur të kuqtë humbën në Durrës me rezultatin 1-0 dhe fituan në Tiranë me shifrat 2-1.
Partizani, që ka fituar për herë të fundit kupën në vitin 2004 (mundi Dinamon 1-0) do të vuajë mungesën e mesfushorit të talentuar Elis Bakaj, i cili u ndëshkua me karton të kuq në ndeshjen e parë gjysmëfinale nga gjyqtari Bardhyl Pashaj. Bakaj ishte autori i goli të fitores në cerekfinalen e dytë me Elbasanin, që celi dhe rrugën e fitimit të trofeut të 15-të Kupës së Shqipërisë për Partizanin.
Fituesi i ciftit Partizani-Teuta do të përballet me fituesin e dyshes tjetër gjysmëfinaliste Besa-Shkumbini, ku kavajasit ndihen më të favorizuar falë rezultatit 3-3 të arritur në Peqin.