E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elvir Muriqi kundër Antonio Tarver më 9 qershor

Është caktuar data e re e përballjes Muriqi-Tarver, e vlefshme për titullin e kampionit të botës në kategorinë gjysmë të rëndë për versionin IBO. Pas dështimit të zhvillimit të duelit më 22 prillit, promoteri Joe DiGuardia ka vendosur 9 qershorin si datë të re të zhvillimit të kësaj përballjeje. Përballja do të transmetohet direkt nga "Showtime", kanalin që transmeton ngjarjet më të mëdha të ringut profesionist në Amerikë.
Ish-kampioni i botës në versionet WBC, WBA dhe IBF, Antonio Tarver, duket se nuk i ka pëlqyer shumë shkrimet e mediave ameriane se një ndër arsyet e dështimit të duelit të 22 prillit ka qenë edhe hezitimi i amerikanit për tu ngjitur në ring.
"Njeriu magjik është kthyer", ka thënë për veten Tarver. "Më 9 qershor unë do të bëj që Muriqi të zhduket. Dua t'ua bëj me dije njerëzve je jam kthyer. E kam mbajtur veten në formë dhe kjo do të bëjë diferencën", ka shtuar Tarver që është futur në mesin e boksierëve të mëdhenj duke mposhtur në dy prej tri përballjeve të zhvilluara kundër Roy Jones Jr. Popullariteti i tij është shtuar së tepërmi pas aveturës "hollywoodiane" me rolin e Mason "The Line" Dixon në filmin e famshëm "Rocky Balboa" dhe përballja e tij e radhës pritet me mjaft interesim në SHBA.
Edhe për "Kosova Kid" kjo është një ndeshje e një rëndësie të vecantë. Boksieri shqiptar që ka një bilanc prej 34 fitoresh nga 37 mecet e zhvilluara në ringun profesionist në rast fitoreje do t'i shtonte shumë gjasat vetes për të luftuar më pas edhe për titullin e kampionit të botës në një nga katër verionet e mëdha të boksit profesionist. Muriqi para më shumë se një muaji kishte filluar stërvitjet intensive për duelin e paraparë të zhvillohej më 22 prill në Atlantic City dhe ka venosur që deri në duelin e 9 qershorit të zhvillojë stërvitje intensive për të qenë saq më i përgatitur për duelin më të rëndësishëm të karrierës së tij.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›