Goli më i bukur i Kuqit

Shefki Kuqi ka shënuar një gol të jashtëzakonshëm në fundjavë, në humbjen e Oldham Athletic me rezultat 3:2 nga Rochdale. Sulmuesi kosovar shënoi një super gol nga distanca prej 30 metrash dhe një gjë të tillë nuk e kishte bërë ndonjëherë më parë.
“E kam pasur fatin të shënoj shumë gola të bukur në karrierë, mirëpo nga kjo distancë nuk kam realizuar ndonjëherë”, ka thënë ish përfaqësuesi finlandez për uebfaqen zyrtare të klubit.
Mirëpo, ai shton humbja e pësuar nga Rochdale ia zbehi vlerën e golit të tij fantastik. “Nëse do të fitonim, do të ishte një gol i veçantë. Por, kur humbet, golat si ky harrohen shpejtë. Jam i brengosur më shumë për humbjen”, shtoi ai.
Oldhami ka pasur katër humbje rresht, kështu që ka rënë dukshëm në renditjen tabelore. Sipas 34 vjeçarit, ekipi nga liga e tretë angleze nuk e meritoi humbjen të dielën, pasi që të paktën e meritonte një pikë.
“Nuk kemi luajtur dobët në ndeshjet e fundit. Ishim të pafat ndaj Stevenage. Me Rochdale kemi pasur mundësi dhe e merituam një barazim. Po t’i fitojmë katër ndeshje radhazi, me siguri se do të jemi lartë në tabelë”, përfundoi Kuqi, i cili këtë sezon ka realizuar 16 gola.