Gomari i Azis Nesinit dhe Onufri
Replika e kolegut Edmond Gjikopulli në gazetën “standard” ishte e papritur për mua, sepse as kam pasur ndërmend të hyj në polemika gomerësh, nëse jam unë apo ai pronari i parë i tyre, madje as kam ditur nëse kolegu ishte pjesëmarrës në “Onufri 2009” apo jo. E gjitha kjo më kujtoi një tregim turk të para viteve ’90, nga autori Azis Nesin. Aty flitej se një fshatar nga Anadolli kishte dalë të shiste gomarin e tij kockë e lëkurë dhe si dinak që ishte, kishte hedhur sipër vitheve të drobitura të kafshës së gjorë, një qilim të vogël e të bukur oriental. Dikush iu afrua ta blinte gomarin, por duke pasur parasysh çmimin e lartë që kishte vënë fshatari, tentonte të hynte në pazar me të dhe kërkonte të ndante veç qilimin e veç gomarin, po i zoti s’e hante këtë gjë, sepse ai pikërisht donte që përmes mbulesës së qëndisur të shiste dhe gomarin e drobitur. Nuk po zgjatem më si vazhdoi historia, po meqë jemi këtu, pra te tema e pronësisë së gomerëve, unë heq dorë pa mëdyshje nga kjo pronësi, sepse as e kam kërkuar këtë. Natyrisht, duke u kërkuar ndjesë gjithë kafshëve, shpendëve e peshqve të këtij vendi, të cilat u morën nëpër gojë nga kolegu Gjikopulli për t’i përdorur si ndaj meje apo gazetës. Unë kam lindur në Tiranë në Rrugën e Kavajës, ku jam sot e kësaj dite dhe si qytetar jam mësuar të ec pa ndihmën e gomerëve, të cilët i respektoj sa herë i shoh fushave apo fshatrave. Aty mes kafshëve të përmendura nga kolegu, hasa edhe në një specie të veçantë, lëpirësi quhej. Do të duhej të ishte zbulim për zoologjinë, por me sa di, kjo specie frymon mes njerëzve dhe pa dashur të zgjatem në këtë pikë, le t’ia lëmë mjedisit serioz artistik apo xhunglës, siç thotë kolegu, të vlerësojë kush është lëpirës: unë që veproj si artist i lirë apo dikush tjetër. Sa për faktin nëse duhet mburrur që kam babain apo mamanë artist e artiste, unë kam idenë e kundërt, jam krenar që nuk e kam babain artist, që do të thotë se deri këtu kam ardhur vetë, madje kam shpëtuar nga çdo diktat keqformimi artistik, por kjo është një temë fatkeqësisht e patrajtuar nga media jonë.
Kolegu Gjikopulli me të drejtë thotë se gazetaria duhet të ndjekë me seriozisht aktivitetet artistike, por kur këtë nuk e bën kuratori si mund t’ua kërkosh gazetarëve! Kolegu shqetësohet mos preket kuratori apo aktiviteti “Onufri” nga gazetarja, por unë kam qenë nga ata që kam shkruar jo pak herë në vitet më përpara e deri sot për këto probleme në artin tonë dhe pa pasur frikë as nga kuratori e as nga drejtorët e përkohshëm të Galerisë apo cilido institucion artistik, sepse nuk jam lëpirës e s'varem nga askush. Këtë e kam paguar me përjashtime e indiferencë ndaj krijimtarisë sime nga organet përkatëse dhe individët e quajtur kuratorë. Madje, në rastin konkret, ideja ime s’ka qenë fare përballja me kolegun që ndihet i fyer, por me përzgjedhjet kuratoriale që ndodhin në këto aktivitete dhe mos harrojmë se janë paratë e taksapaguesve me të cilat bëhet kjo ekspozitë vjetore. Unë s’kam asgjë kundër idesë së kuratorit që gomari është kafshë inteligjente, jo me kot ai është zgjedhur simbol i një partie serioze në Amerikë, por në Ballkan ai, për fat të keq, ka bërë pjesë në fjalorin fyes e nuk di që në aktivitetin në Galeri, ideja ka qenë të rehabilitojmë gomerët. Personalisht, në vizionin e veprës sime paraqitur te “Nëntor 12”, gomari ishte pjesë përbërëse e jetës sonë, ku pa frikë them se atë e gjejmë kudo, rreth nesh, në qarqe drejtuese zyrtare politike e artistike, në media e në shkolla dhe pse jo, edhe në ambientin tonë artistik, kështu që pa u zgjatur e sqaroj kolegun Gjikopulli se as më shkonte mendja të replikoja me të, madje nuk e dëshiroj që kjo të ndodhë mes kolegëve, sepse kjo duhet të ndodhë mes tyre dhe institucioneve që drejtojnë artin e jo t’i nxjerrin sytë njëri-tjetrit. Natyrisht, siç thashë, heq dorë nga përkatësia e pronësisë mbi gomerët e për ta bërë më të qartë pozicionin tim ndaj parimeve, po ju tregoj një shembull të vogël që ka lidhje me kolegun. Para ca viteve kur “Nëntori” hapej në Galerinë Kombëtare, drejtori dhe kuratori Tula patën idenë të vendosnin çmime. Unë, si një nga themeluesit e këtij aktiviteti, bashkë me Llambi Blidon e Besim Tulën, s’kam qenë dakord në parim asnjëherë që kjo ekspozitë të kishte çmime. Ka qenë hera e parë që s’kam marrë pjesë te “Nëntori” pikërisht për këtë arsye dhe e dini kush e fitoi çmimin...!? Kolegu Gjikopulli. Vepra e tij falë atij çmimi u bë pjesë e fondit të Galerisë, pra siç kuptuat, sallat “e mykura” që përmendi kolegu ndihmuan në këtë rast atë. Së fundi, do ta uroj kolegun për pjesëmarrjen në “Onufri 2009” dhe për realizimin fotografik të veprës së tij, aq sa ngatërroi dhe gazetaren, duke e marrë për fotomontazh.