E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjermania shton financimin për pastrimin e Liqenit të Ohrit

Mbrojtja e Liqenit të Ohrit do të vazhdojë më tej me mbështetjen financiare që qeveria gjermane ka dhënë për këtë projekt. Një fond shtesë është akorduar dje kundrejt fondit që është dhënë më parë për pastrimin e Liqenit të Ohrit. Ministri Olldashi dhe ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë, z. Bernd Borchardt, kanë nënshkruar dje një marrëveshje për “Projektin e mbrojtjes së liqenit të Ohrit - pastrimi i ujërave të zeza - Pogradec II”. Ministri dhe ambasadori kanë vlerësuar bashkëpunim mes dy shteteve për projekte të tilla me rëndësi jo vetëm për qytetin e Pogradecit, por për gjithë vendin, pasi Liqeni i Ohrit është një nga vendet më të rëndësishme që frekuentohen për turizmin. Ministri Olldashi ka vlerësuar kontributin që po jep qeveria gjermane në investimin e impianteve të pastrimit të ujërave të zeza. “Jam shumë i kënaqur që kam nënshkruar bashkë me ambasadorin e republikës gjermane një shtesë në kontratën për sistemimin dhe mbrojtjen e Liqenit të Ohrit, më konkretisht për qytetin e Pogradecit. Është një fond që e çon fondin total të përdorur deri tani nga KfW-ja dhe qeveria gjermane nga 5 milionë në 5.8 milionë euro që përbën një kontribut shumë të rëndësishëm, të cilit do të shtohet në këtë fazë të dytë edhe 940.000 mijë euro të qeverisë shqiptare”, - tha Olldashi. Ministri theksoi se deri tani me këtë shtesë fondi do të bëhen kanalizimet e qytetit të Pogradecit në 70% të rrjetit të vet tërësor, ndërkohë që qeveria është duke diskutuar me bankën gjermane, me qeverinë gjermane dhe parimisht është rënë dakord për vazhdimin e këtij projekti në fazën e tretë që do të bëjë zgjidhjen përfundimtare të kanalizimeve në qytetin e Pogradecit, rritjen e kapaciteteve të impiantit të pastrimit dhe zgjerimin në një zonë. “Unë përfitoj nga rasti të shpreh gjithë mirënjohjen time dhe të qeverisë shqiptare për kontributin që ka dhënë qeveria gjermane në këtë projekt shumë të rëndësishëm, i cili po e shndërron qytetin e Pogradecit nga një faktor ndotës për liqenin e Ohrit në një faktor mbrojtës, duke i dhënë mundësinë që Liqeni i Ohrit të jetë tashmë në një situatë shumë më të përmirësuar. Kjo është më se e dukshme, vera e këtij viti ka qenë për liqenin një verë shumë e mirë sesa ajo e dy apo tri viteve më parë dhe mbas përfundimit edhe të fazës së dytë që ne sapo kemi nënshkruar financimin, situata do të jetë akoma dhe më mirë. Edhe një herë do të doja të falënderoja ambasadorin për angazhimin e tij personal në këtë projekt dhe sigurisht qeverinë gjermane për gjithë kontributin e dhënë”, - tha Olldashi. Nga ana e tij, ambasadori gjerman ka garantuar ministrin Olldashi për vazhdimësinë e bashkëpunimit dhe mbështetjen financiare nga qeveria gjermane.
“Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje është shumë i rëndësishëm dhe është shndërruar në simbol të bashkëpunimit shumë të mirë gjermano-shqiptare në fushën e kanalizimeve. Ne sigurisht do ta vazhdojmë dhe më tej këtë bashkëpunim, duke i zgjeruar aktivitetet tona në këtë sektor. Një sektor tjetër i bashkëpunimit është dhe ai i energjisë në të cilën qeveria gjermane ka dhënë për këtë sektor një shumë prej 180 milionë eurosh. Përveç kësaj marrëveshjeje, unë do të kem mundësinë të nënshkruaj dhe mjaft marrëveshje të tjera në fushën e energjisë elektrike”, - tha Olldashi.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›