E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkoj një shesh për koncert!?

Rrëfimi i violinistit të cilësuar në Evropë “Paganini i ri” - dëshira për të gjetur një shesh për koncert, por nuk di kujt t’i drejtohet: “Unë kam shumë dëshirë të vij në Shqipëri me grupin tim të bëj koncerte në shesh, siç i bëj në të gjithë Evropën, por nuk e kam idenë se me kë të lidhem këtu, që të bëj koncerte. Unë do të kisha shumë dëshirë që të bëja një koncert në shesh, në Durrës, sepse aty kam lindur. Kam bërë koncerte në të gjitha vendet e botës dhe nuk kam bërë akoma në Durrës, por nuk di me kë të lidhem, kujt duhet t’i them...”

Olen Cezari, violinisti me origjinë shqiptare, por që nga adoleshenca e deri tani ka jetuar në Itali, ka ardhur për t’u bërë pjesë e jurisë në festivalin e 48-të të këngës në RTSH. Olen Cezari ka filluar të mësonte t’i binte violinës që në moshën 3-vjeçare. “Filloi gjithçka si lojë, unë e përdorja për t’u mbrojtur me violinën”, - tregon ai. Oleni doli për herë të parë në skenë në moshën 5-vjeçare dhe në moshën 7-vjeçare bëri koncertin e tij të parë recital. Në moshën 13-vjeçare mori diplomën në Institutin e Lartë të Arteve. Emigroi në Itali në moshën 14-vjeçare, ku menjëherë bëri një tur me muzikë klasike. Në moshën 17-vjeçare vazhdoi Konservatorin e Romës “S. Cecilia” ku edhe u bë violinisti më i ri që është diplomuar në të gjithë historinë e konservatorit. Në vitin 1993, Oleni i thirrur nga Pipo Baudo për të marrë pjesë në emisionin muzikor për artistët italianë “Lojë dyshe”, fitoi çmimin e parë, duke performuar pjesën “Kapriçot” (Caprices) të Paganinit që ai e kishte kthyer në një formë të muzikës Jazz. Pas këtij performimi, të nesërmen, disa nga gazetat kryesore italiane e përcaktuan atë si “Paganini i ri”. Oleni ka dhënë koncerte në shumë teatro botërore, midis tyre edhe në dy nga teatrot më të rëndësishme amerikane si “Masonic Theatre” në Detroit dhe në “Silk Road” në Çikago. Gjatë koncerteve të tij ka bashkëpunuar me shumë nga muzikantët dhe këngëtarët më të mirë botërorë si: Lucio Dalla, Bob Dyllan, Sergio Cammariere, Tony Levin, Enrico Giaretta, Ana Oxa, Alex Britti, Michel Petrucciani, Pharrell Williams, Daniela di Bonaventura. Oleni bën pjesë tek ata artistë që preferojnë të lëvrojnë jo një, por shumë rryma muzikore. Përveç muzikës klasike, ai ka lëvruar rryma si jazz, pop, soul, rep, kauntri dhe etno. Edhe pse ka fituar shumë çmime që i kanë dhënë famë gjatë karrierës së tij si “Rodolfo Lipizer”, “Moxart” në Austri apo “Foyer de Artisties” për Olenin më i veçanti mbetet çmimi si “Artisti më i mirë” që ka marrë në vitin 1987 në Shqipëri. Oleni flet për dashurinë me shikim të parë me violinën, për këngët e festivalit në RTSH, tingujt e këngëve, artistët, organizimin e festivalit dhe për jetën e tij në Itali dhe për dëshirën e tij të madhe për të dhënë koncerte në Shqipëri.

Çfarë mendimi keni për këngët e natës së parë, në të cilën konkurruan emra e njohur të skenës?
Këngët ishin vërtet interesante. Shumë bukur, më pëlqyen.

Po për këngët e natës së dytë, që ishin të rinjtë?
Nuk ishin në të njëjtin nivel më të mëdhenjve. Këngët e të rinjve ishin komplet nivel tjetër nga këngët e të mëdhenjve. Nga 19 këngë të të vegjëlve, ishin vetëm 4-5 këngë të të rinjve që ishin në të njëjtin nivel me këngët e të mëdhenjve.

A shikoni tek ndonjëri nga këta të rinj një talent të së ardhmes?
Dy vajzat që kaluan në finale, ishin të mira, ishin shumë të mira. Fituesja e çmimit të parë, Iris Hoxha, kishte një zë shumë të mrekullueshëm, edhe prezencë skenike shumë të mirë, ndërsa Goldi Halili, fituesja e vendit të dytë, kishte një paraqitje skenike gjithashtu të mrekullueshme, nuk po arrija ta besoja kur më thanë se ishte 14 vjeç. Kënga që këndoi Goldi, më kujtonte këngët që këndoheshin njëherë e një vakti, këngët e kohës së komunizmit, shumë bukur, nostalgjike, më hapte penxheret e kohës së Enverit.

A ndryshon organizimi i spektaklit këtu nga ai jashtë shtetit?
Organizimi ndryshon shumë nga ai jashtë shtetit. Atje janë me qindra persona që punojnë për një spektakël të tillë. Të paktën nga Italia, ku kam eksperiencë unë, sepse në 10 vitet e fundit kam shkuar vit për vit në Sanremo, e ndjek vit për vit spektaklin, edhe këtë vit do të shkoj përsëri. Nuk e di sa persona punojnë këtu, megjithatë mirë është, nuk është keq, por mendoj se ka edhe shumë punë për të bërë.

Ju keni nisur t’i bini violinës që 3 vjeç. Duke qenë në moshë kaq të vogël, çfarë e nxiti pasionin tuaj për violinën?
Unë në moshën 3-vjeçare fillova të mësoja t’i bie violinës. Në fillim fillova të luaja me violinën, e mbaja si shpatë, si mburojë, me atë mbrohesha, kur luaja ngadalë fillova të nxirrja tinguj që më tërhiqnin. Më pas ishte aftësia e mamit tim që e kisha mësuese që më mësoi t’i bija violinës. Është normale që kur fillon i vogël, mësohesh më lehtë me emocionet e skenës. Për mua, të jem në skenë është normale, ndërsa për ndonjë artist tjetër, që ka më pak eksperiencë, nuk ndodh e njëjta gjë. 80% të artistëve, kur ndodhen përpara publikut, kanë një tjetër rendiment, sepse ndikon emocioni, eksperienca e skenës, prezenca e publikut, ndikojnë 100 faktorë të tjerë. Nuk është njëlloj sikur të kesh luajtur në skenë 100 000 herë dhe të kesh luajtur 100 herë, pasi ndryshon komplet rendimenti.

Përse vendosët të emigronit në moshën 14-vjeçare?
Isha në lice në Tiranë dhe bëja gjithë programin në liceun e Tirans dhe shkoja bëja edhe programin e violinës në Institutin e Lartë të Arteve, kanë qenë vite sakrificash. Unë ika nga Shqipëria, pasi mbarova të gjitha studimet që mund të bëja në Shqipëri, isha 13 vjeç, mbarova Institutin dhe doja të studioja akoma. Mamaja ime kishte 2-3 vjet që kërkonte të merrte një bursë në ministri, por që nuk ia jepnin. Ne kërkonim një bursë në Francë, pasi na kishin thënë se konservatori i Parisit ishte i mirë. Por bursa na doli për Itali dhe u hapën të tjera kanale, të tjera rrugë.

A vini shpesh në Shqipëri?
Unë kam njëzet vjet që kam ikur. Që atëherë kam ikur dhe jam kthyer disa herë në Shqipëri, problemi është se deri vitin që shkoi, gjithmonë kam ardhur për një ditë sa për të dhënë një koncert dhe kam ikur ditën tjetër. Shqipëria ka ndryshuar shumë, kështu që unë kam 1 vit - 2 vjet që kam filluar të vij më shpesh, kam qejf të vij. Përpara kisha frikë të vija. Kur visha në aeroport, ishte një si kolibe, 5 m me 4 m, kur hyje aty të shihnin në surrat. Ndërsa tani ke qejf të vish. Ka strukturë tani, ka ndryshuar komplet Shqipëria.

Kur do të bëni përsëri një koncert në Shqipëri?
Problemi i koncerteve në Shqipëri është me strukturat që organizojnë koncertet këtu. Kudo që kam bërë koncerte jashtë shtetit unë kontaktohem direkt nga menaxherët që organizojnë koncerte, unë nuk njoh ndonjë njeri që të më ndihmojë që të bëj koncerte në Shqipëri. Unë kam shumë dëshirë të vij në Shqipëri me grupin tim të bëj koncerte në shesh, siç i bëj në të gjithë Evropën, por nuk e kam idenë se me kë të lidhem këtu, që të bëj koncerte. Unë do të kisha shumë dëshirë që të bëja një koncert në shesh, në Durrës, sepse aty kam lindur. Kam bërë koncerte në të gjitha vendet e botës dhe nuk kam bërë akoma në Durrës, por nuk di me kë të lidhem, kujt duhet t’i them. Nuk është se më ka thënë njeri që eja bëj koncert në Durrës. Për momentin koncertet e mia janë në Tiranë, o tek Pallati i Kulturës, o tek Pallati i Kongreseve, tek vende të mëdha dhe më vjen keq se jo çdo njeri e ka mundësinë ekonomike të hyjë në këto vende.

Ju thatë se jeni pjesë e një grupi. Cilët janë pjesëtarët e grupit tuaj?
Pjesëtarët e grupit tim janë të huaj, janë instrumentistët më të mirë që jetojnë në Itali një është italo-francez, një është italian. Emrat nuk mund t’i them, pasi unë nuk është se performoj gjithmonë me të njëjtët persona, pasi varet nëse janë të lirë apo jo, nëse njëri nga këta nuk mundet, marr një tjetër. Emrat e pjesëtarëve dalin në reklamën që vihet kur bëhet koncerti.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›