E Diel, 1 Nëntor 2026

Gomat e dy makinave të mbushura më drogë, bllokohen 48 kg në port.

Policia kufitare në portin e Durrësit ka mundur të zbulojë dhe sekuestrojë 48 kilogramë e 472 gramë lëndë narkotike të llojit kanabis sativa, e cila ishte planifikuar të trafikohej në Itali me dy automjete.

Si transportues i lëndës narkotike u bë arrestimi në flagrancë i 30 vjeçarit nga Shkodra Gjon Carinaj, ndërsa u shpall në kërkim një tjetër i ri, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur për arsye hetimi, transmeton Noa.al.

Në automjetet e dy personave të përfshirë në trafikimin e drogës, konkretisht fuoristrada Mitsubishi me targa AA 173 BY dhe Audi me targa AA 376 FL, u gjetën të fshehura në goma, gomat rezervë si dhe pjesë të brendshme të mjetit në total prej 57 pako me përmbajtje lënde narkotike, e cila synohej të trafikohej nga dy automjetet që do të udhëtonin drejt Italisë me njërin nga tragetet e linjës.

Krahas lëndës narkotike në cilësinë e provës materiale u sekuestrua edhe një shumë parash si dhe dy telefona celularë.
Aktualisht nga ana e policisë po punohet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në trafikun e lëndës narkotike, ndërsa materialet lidhur me këtë ngjarje i kaluan Prokurorisë së Krimeve të Rënda. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›