Gërxhaliu kërkon analizë të thellë për çështjen e privatizimit

Vula dhe ardhmëria e qëndrueshmërisë shtetërore në Kosovës, është investimi dhe zhvillimi ekonomik i vendit. Kështu ka vlerësuar kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliu në një intervistë për RTK- në. Ai kërkoi analizë të thellë për çështjen e privatizimit në Kosovë.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliu në një intervistë për RTK-në, tha se vendi ka nevojë për investitorët e huaj dhe për këtë, sipas tij, është i nevojshëm miratimi i ligjit për investime të huaja në Kosovë që do të lehtësonte procedurat burokratike për investime nga jashtë. Kjo do të ishte në fakt një hap drejt lëvizjes nga agjenda politike drejt agjendës ekonomike për të cilën Kosova ka nevojë më shumë.
“Vetëm viteve të fundit, nuk e besojë që ndonjë vend është vizituar më shumë nga investitorët e huaj, por për fat të keq ata janë kthyer në vendet e rajonit. Vet fakti që duhet të bëhet një lëvizje nga agjenda politike drejt agjendës ekonomike, besoj këto gjëra do të minimizohen dhe është koha kur ardhmëria e këtij shteti është zhvillimi ekonomik”, tha Gë rxhaliu, transmeton Radio Kosova.
Duke folur për privatizimin e ndërmarrjeve në Kosovë, Gërxhaliu tha se procesi i privatizimit duhet të përshpejtohet nëse synohet të merr kahje të drejtë për zhvillimin e vendit, por sipas tij ky proces ka nevojë të analizohet mirë nga ana ekspertëve ku të ishte e përfshirë edhe shoqëria civile.
“Gjithmonë është menduar që përmes procesit të privatizimit do të kemi rritje të vendeve të punës, përmirësim të bilancit të pagesave, prodhim të importit apo eksportit, ndoshta në të ardhmen do të kemi një proces të tillë, duhet të mbështesim një proces të tillë, por po e them edhe njëherë që nuk duhet privatizimi gjithmonë të jetë më çdo kusht dhe me nguti, në këtë drejtim duhet të kemi një analizë shkencore, të involvuar shoqërinë civile dhe mbi të gjitha të jetë transparenca”, tha Gerxhaliu.
Ai tha se të gjitha rekomandimet dhe projekte për zhvillimin ekonomik të Kosovës që behën qoftë nga Oda Ekonomike apo edhe nga Oda Amerikanë në adresë të Qeverisë së Kosovës, të mos personifikohen, por të pranohen si një ndihmesë shtesë në zgjidhjen e problemeve ekonomike me të cilat ballafaqohet Kosova dhe ato të orientohen në drejtim të zhvillimit të vendit. /Indeksonline/