E Martë, 3 Nëntor 2026

Gonxhja: Dhjetëra biznese e punëofrues nga Shqipëria në Panairin e Punës në Athinë

TIRANË, 26 shkurt/ATSH/ Për shqiptarët që jetojnë në Greqi, më 2 mars në Athinë do të hapë dyert Panairi i Punës, me moton: “Puno dhe jeto aty ku ke zemrën”.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja u drejtoi një ftesë bashkatdhetarëve që jetojnë e punojnë në Greqi të bëhen pjesë e Panairit të Punës, më 2 mars.

Gonxhja theksoi se ata aty do të njihen me perspektivën e kthimit të plotë a të pjesshëm me punë në atdhe.

“Panairi i Punës, i pari i këtij lloji, në Greqi, hap një derë të re komunikimi me diasporën tonë për Shqipërinë 2030. Shumë institucioneve, agjencive e përfaqësive shqiptare do t’u bashkohen dhjetëra biznese e punëofrues nga Shqipëria”, informoi Gonxhja.

Në Portalin Kombëtar të Punësimit, puna.gov.al, i krijuar për të mbështetur tregun shqiptar të punës, janë tashmë të ofruara 5 500 vende pune në të gjitha qytetet e Shqipërisë.

Portali ofron informacion mbi vendet e lira të punës në Shqipëri.
Ndërmarrjet hoteliere, industria nxjerrëse, prodhimet artizanale, arsimi dhe formimi profesional, industria ushqimore, administrata publike dhe ndërtimi janë edhe sektorët që kanë më tepër kërkesa për punësim.

Në 2024-ën, papunësia zbriti në nivelin më të ulët historik, prej 10,7%.

Për 2025-ën parashikohet të ketë një normë papunësie njëshifrore në masën 9,8%. Kjo është hera e parë në tri dekadat e fundit që Shqipëria do të ketë një normë papunësie njëshifrore. /j.p/

1 nga 4

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›