Rama: Universiteti Bujqësor në kthesë historike, SPAK 24 masa sigurie për çështje që nuk ka asnjë lloj flagrance

TIRANË, 26 shkurt/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste shprehu sot shqetësimin për nxitimin për të deklaruar 24 persona në masë sigurie për Universitetin Bujqësor të Tiranës, i cili është në një kthesë historike, ndërsa kujtoi partneritetin me Universitetin BOKU” të Vjenës.
Në dëgjesën e Rektorit të Universitetit Bujqësor të Tiranës, Fatbardh Sallaku në grupin parlamentar të Partisë Socialiste, lidhur me 24 masat e sigurisë së vendosura nga SPAK ndaj stafit dhe pedagogëve të këtij universitetit, Rama nënvizoi faktin se fillimisht është siguruar që rektori nuk është një person nën hetim.
Në këtë drejtim, Rama theksoi se “ne nuk mund t’i japim hapësirë dhe të bëjmë dëgjesa me persona në hetim”.
“Së dyti është mirë ta dinë të gjithë se para se ju të kandidonit për rektor i keni drejtuar një letër SPAK, ku i keni kërkuar të sqarojë për ju nëse ky kandidim do të kishte ndonjë pengesë për shkak të statusit dhe përgjigjja ka qenë për ju se mund të vazhdoni të kandidoni”, shtoi Rama.
Kryeministri nënvizoi se të gjithë duhet ta kuptojnë që shqetësimi shumë i madh në këtë rast nuk lidhet fare me faktet apo me fajësinë apo pafajësinë e personave, por lidhet me nxitimin për të deklaruar 24 persona në masë sigurie për një universitet që është në një kthesë historike.
Kryeministri theksoi se ky universitet e ka të ardhmen e vet të varur nga një partneritet strategjik me një ndër universitetet më të vjetra të botës.
“Padyshim që gjëja e parë që mua më ka shkuar në mend kur kam marrë këtë lajm është çfarë do të mendojnë partnerët austriakë kur ta dëgjojnë, 24 veta masë sigurie. Një numër marramendës për një çështje që ka dy apo tre vjet dhe që nuk ka asnjë lloj flagrance, asnjë lloj arsyeje për të krijuar këtë goditje për një institucion të arsimit të lartë”, tha Rama. /j.p/
1 nga 5