E Hënë, 2 Nëntor 2026

Gonxhja: Shqipëria dhe Italia drejt projekteve të reja në kulturë dhe turizëm

TIRANË, 13 nëntor/ATSH/ Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, zhvilloi sot takime me ministrin e Kulturës së Italisë, Alessandro Giuli, dhe me ministren e Turizmit italian, Daniela Santachè, për të diskutuar një sërë bashkëpunimesh dhe partneritetesh kulturore e turistike mes dy vendeve.

Gjatë takimit me ministrin Giuli, u theksua rëndësia e zhvillimit të marrëdhënieve kulturore shqiptaro-italiane.

Diskutimet përfshinë bashkëpunime të ndryshme, nga Muzeu Italian në Shqipëri, partneriteti me MAXXI dhe Galerinë Kombëtare të Arteve, krijimi i Qendrës Kulturore Shqiptare në Itali, deri te iniciativat për përfshirjen e “Motit të Madh të Arbëreshëve” në UNESCO.

Takimi riafirmoi vizionin për një partneritet kulturor të qëndrueshëm që ndërton ura bashkëpunimi përmes artit, trashëgimisë dhe kreativitetit.

Ndërsa takimi me ministren e Turizmit italian, Daniela Santachè, u fokusua në forcimin e bashkëpunimit dypalësh dhe rajonal në turizëm, harmonizimin e standardeve, lehtësimin e përvojës së udhëtarëve, zhvillimin e itinerarëve kulturorë dhe fuqizimin e aftësive profesionale.

Diskutimet gjithashtu u përqendruan në zgjerimin e mundësive turistike gjithëvjetore dhe vendosjen e standardeve të reja për një turizëm inovativ dhe cilësor në Shqipëri.

Ministri Gonxhja theksoi se këto takime konsolidojnë marrëdhëniet ndërkombëtare dhe riafirmojnë angazhimin e Shqipërisë për një bashkëpunim të qëndrueshëm, inovativ dhe të ndërsjellë në fushat e kulturës dhe turizmit. /j.p/

1 nga 12

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›