E Hënë, 2 Nëntor 2026

Gonzato: Duhen debate të shëndetshme në Kuvend për reformat

TIRANË, 5 nëntor/ATSH/ Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato u shpreh sot se Kuvendi dhe debatet politike që zhvillohen aty, kanë rol kyç për qytetarët dhe reformat.

I pyetur nga gazetarët gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama, lidhur me gjetjet e progresraportit për zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri, si polarizimi politik dhe dialogu mes palëve, Gonzato përcolli një mesazh për palët politike.

“Ky është një mesazh që e jap çdo ditë në bashkëbisedimet me deputetët. Kuvendi ka një rol absolutisht kyç për të luajtur dhe thirrja ime është që të kenë dëshirën dhe mundësinë që të japin kontribut në këtë proces reformash që do ta sjellë Shqipërinë në BE”, tha ai.

“Na duhen debate të shëndetshme, që mund të jenë edhe kritike, se në fund të fundit ky është forumi në të cilin shprehen mendime të ndryshme për mënyrën si do të bëhet Shqipëria shtet anëtar. Këto debate duhet të bëhen, sepse janë mundësia që qytetarët të kuptojnë se çfarë janë këto reforma, përse po bëhen, çfarë ndikimi do kenë në jetën, bizneset e tyre dhe kështu ne sigurohemi që reformat do të jenë të qëndrueshme edhe në periudhën afatgjatë, sepse edhe njerëzit e kuptojnë që janë reforma që kanë të bëjë me ta”, pohoi Gonzato.

/e.i/j.p/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›