Gorbaçov: Duhet ta kisha lënë partinë Komuniste, duhet të kisha krijuar një parti demokratike

Ish-udhëheqësi sovjetik shpreh pendesat për ngjarjet e së shkuarës
I pyetur se ndaj cilave ngjarje të së shkuarës shpreh më shumë pendesë sot, Gorbaçov u përgjigj pa hezitim. "Fakti që unë harxhova shumë kohë në përpjekje për të reformuar partinë Komuniste. Duhet të kisha formuar një parti demokratike, meqenëse partia Komuniste po shkelte frenat ndaj ndryshimeve të nevojshme”
Politikanët rrallë i pranojnë gabimet, por Mikhail Sergeyevich Gorbachov gjithmonë i përket një klase tjetër. Pra, nuk është për t’u habitur se, duke kujtuar ato gjashtë vite në krye të Bashkimit Sovjetik, ai është i gatshëm për të numëruar gabimet që ka bërë.
Në një intervistë ekskluzive me “Guardian”, ai numëroi të paktën pesë. Ato sollën jo vetëm rrëzimin e tij 20 vjet më parë, por gjithashtu rënien e Bashkimit Sovjetik dhe futjen e një ekonomik të lirë kaotike, ku disa rusë u shndërruan në miliarderë, ndërsa shumica e tyre u zhytën në varfëri. Gorbaçovi shfaqet i qetë, madje i gëzuar këto ditë, datat e të cilave të kujtojnë të shkuarën, sidomos kur diskutohet për rivalin e tij Boris Jelcin, apo kur përshkruan ata të cilët e arrestuan në shtëpi në Krime. "Ata donin të provokonin një zënkë, e cila do të shoqërohej me një shkëmbim zjarri që mund të rezultonte në vdekjen time”, thotë ai. I pyetur se cilat janë ato gjërat e së shkuarës që ai pendohet më shumë, Gorbaçov u përgjigj pa hezitim. "Fakti që unë harxhova shumë kohë në përpjekje për të reformuar partinë Komuniste. Duhet të kisha formuar një parti demokratike, meqenëse partia Komuniste po shkelte frenat ndaj ndryshimeve të nevojshme”. Ky gjykim i ri i Gorbaçovit do të përbëjë një interes të veçantë për historianët, meqenëse është deklarata e parë publike e tij ku ai thotë se duhej që të ishte larguar nga partia Komuniste, disa muaj para grushtit të shtetit të gushtit 1991. Në kujtimet që ai botoi në vitin 1995 ai nuk ka shkuar kaq larg me deklaratat e tij. Në pranverën e vitit 1991, Gorbaçovi ishte kapur mes dy tendencave të fuqishme të cilat i ngushtonin hapësirën e tij për të manovruar. Nga njëra anë ishin konservatorët dhe reaksionarët të cilët përpiqeshin t’i ndalonin politikat e tij, ndërsa në anën tjetër ishin progresistët të cilët donin të krijonin një sistem shumë-partiak dhe ekonominë e tregut. Gjërat u dukën në pah në një sesion të Komitetit Qendror të partisë Komuniste në prill të vitit 1991. Në këtë takim të Komitetit Qendror, disa folën për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme dhe rivendosjen e censurës. Sipas kujtimeve të tij, Gorbaçov reagoi ashpër: "Mjaft më me demagogji, unë jap dorëheqjen”. Në intervistën e tij dhënë prestigjiozes britanike “Guardian”, ai shpjegoi me detaje se çfarë ndodhi realisht. "Byroja politike zhvilloi një takim tre orësh pa praninë time. Më thanë se gjatë atij takimi po kritikohesha ashpër. Tre orë më vonë ata më ftuan që të tërhiqja dorëheqjen. Gjatë kësaj kohe, përkrahësit e mi në Komitetit Qendror kishin hapur një listë me më shumë se njëqind njerëz të cilët mbështesnin idenë për krijimin e një partie të re. Kur Komiteti Qendror rifilloi seancën e tij, temperamentët ishin ftohur, unë tërhoqa dorëheqjen time dhe askush nuk donte që kjo çështje të vihej në votim”. Në kujtimet e tij, Gorbaçovi shkruan: "Sot, shpeshherë pyes veten nëse duhet të kisha insistuar për të dhënë dorëheqjen nga posti i Sekretarit të Përgjithshëm. Një vendim i tillë mund të ketë qenë i preferuar për mua personalisht, por u ndjeva se nuk kisha asnjë të drejtë të braktisja partinë që kishte sunduar Rusinë që nga viti 1917 dhe ishte e vështirë për këdo në Rusi, në veçanti për zyrtarët të cilët e kishin kaluar karrierën e tyre në të, që të imagjinonim se partia po largohej nga pushteti. Por tani, këto dyshime të Gorbaçovit janë shuar. “Unë mendoj se duhet të kisha insistuar për dorëheqje dhe se duhet të kisha shfrytëzuar rastin për të krijuar një parti demokratike. Edhe pse ishte partia Komuniste ajo që i kishte lëshuar reformat, ajo u bë njëkohësisht pengesa për aplikimin e tyre. Ata të gjithë mendonin se reformat ishin vetëm për kozmetik, dhe se të lyeje fasadat ishte e mjaftueshme, kur në fakt brenda tyre qëndronin të njëjtat vjetërsira dhe rrëmuja”. Pendimi i dytë, thotë Gorbaçov, është se nuk e reformoi aq sa duhet Bashkimin Sovjetik, dhe se nuk i dha, në një fazë më të hershme, shume pushtet 15 republikave të saj. Në atë kohë ai mendoi të krijonte një federatë më të lirshme, duke marrë parasysh se tashmë tre shtetet baltike kishin deklaruar pavarësinë. Gjaku kishte rrjedhur në Lituani, Azerbajxhani dhe në Kaukaz. Nën udhëheqjen e liderit të saj ambicioz, Boris Jelcin, Rusia, republika më e madhe, ishte duke tkurrur muskujt e saj dhe duke kërkuar më shumë kontroll mbi buxhetin e Bashkimit Sovjetik. Disa analistë thonë se i gjithë sistemit sovjetik ishte i pareformueshëm dhe çdo ndryshim i detyruar do të rezultonte në një proces të pandalshëm transformimi, i cili do të bëhej gjithnjë e më shumë dramatik. Sipas kësaj analize, kjo ishte e pandalshme, dhe bëri që Gorbaçovi të humbte kontrollin. Pjesërisht për shkak të karakterit të tij bujar, personalitet të ndritshëm, dhe me një jetë të lumtur familjare(derisa gruaja e tij Raisa Maximovna vdiq nga leukemia në vitin 1999), Gorbaçovi mbetet optimist. Humbja nuk e ka hidhëruar atë, as nuk e ka bërë cinike. Ai argumenton se të gjitha problemet kryesore sovjetike ishin në prag të zgjidhjes deri në grushtin e 1991, e cila i përdrodhi forcat konkurruese në një dinamikë të re. Partia komuniste kishte hartuar një program të ri për vitin 1991. Parlamenti kishte miratuar një “plan anti-krizë” për të përshpejtuar reformën ekonomike. 12 republikat sovjetike që mbetën pas pavarësive të vendeve baltike kishte pranuar tekstin e një traktati të ri që do t’u jepte atyre më shumë autonomi politike dhe ekonomike, duke ia lënë mbrojtjen dhe politikën e jashtme qeverisë sovjetike. Traktati do të ishte nënshkruar më 20 gusht. “Ja kam bërë një gabim. Shkova me pushime. Kur po përgatitesha për të fluturuar drejt Moskës për të nënshkruar traktatin, më 18 gusht një grup personash erdhën të paftuar. Kapa telefonin të pyesja se çfarë lloj njerëzish ishin dhe kush i kishte dërguar, por nuk kishte linjë. Telefoni ishte prerë”. Gorbaçovi ishte me gruan e tij, vajzën Irina dhe familjen e saj në një vile qeveritare ne Foros, në bregun e Detit të Zi. Ndërtesa ishte nën vëzhgimin e rojeve për tre ditë derisa grushti dështoi nga rezistenca e Jelcinit, ndarja e ushtrisë, dhe mosmarrëveshjeve të brendshme në Partinë Komuniste. Gorbaçov e refuzoi fuqishëm teorinë se ai e kishte marrë një dritë jeshile për komplotin. “Njerëzit thonë në mënyrë të gabuar se Gorbaçovi kishte ende komunikim dhe se ai kishte organizuar gjithçka. Ata thonë se Gorbaçovi do të dilte fitues, pavarësisht asaj që do të ndodhte. “Kjo është marrëzi, krejt e pakuptimtë”- thotë ai. “Këta njerëz kërkonin të më hidhnin poshtë dhe të ruanin sistemin e vjetër. Ata kërkuan që unë të shkruaja një deklaratë duke kërkuar largimin tim nga detyra e presidencës, për shkak të sëmundjeve. Raisa Maximovna mbante një ditar gjatë arrestimit të tyre të shtëpisë. Në të ajo raportoi se Gorbaçovi paralajmëroi rojet se ai do të merrte “masa ekstreme” ndaj tyre në qoftë se lidhjet e tij me botën e jashtme nuk do të ktheheshin. Por Gorbaçov i hodhi poshtë interpretimet lidhur me togfjalëshin “masat ekstreme”. “Ajo ishte e gjitha një bllof. Ishte pjesë e manovrimit tim ... Unë vetëm kërkoja që të ushtroja presion mbi ta, por duke shmangur provokimet. Masat e mia ekstreme do të ishin politike dhe diplomatike. Kam qenë në gjendje të luaja më mirë se ata. Në qoftë se nuk do të kishte lëvizje ne Moske, pozicioni im do të kishte mbetur në ajër. Por këtu në Moskë njerëzit protestonin. Ata ishin të udhëhequr nga Jelcini dhe kjo është arsyeja pse ne duhet ti japim nderim Jelcinit, pasi ai bëri gjënë e duhur”. Gorbaçov nuk është pajtuar me nëntë vitet e pushtetit të Jelcinit, të cilat ai i sheh si një kohë kaosi. Ai thotë se duhet ta kishte nxjerrë jashtë “loje” Jelcinin disa vite më parë para se të bëhej rivali i drejtpërdrejt. "Unë kam qenë ndoshta më tepër liberal dhe demokratik se Jelcini. Unë duhet ta kisha dërguar atë ambasador në Britaninë e Madhe, ose ndoshta në ndonjë vend ish-koloni britanike", thotë ai. Përsa i përket liderëve aktual, Gorbaçov e vlerëson Putinin për rivendosjen e stabilitetit në fillim të vitit 2000 deri në vitin 2006. Edhe pse ai përdori disa metoda autoritare, ato ishin të pranueshme nga pikëpamja e Gorbaçovit. "Por pastaj erdhi momenti kur e pashë atë duke ndryshuar sistemin zgjedhor, heqjen e zgjedhjet për guvernatorët e rajoneve të Rusisë, dhe të zonave një-emërore”. Ndërkohë, i pyetur rreth ndryshimeve në Kinë, ai thotë se ato janë të pashmangshme. Çdo sugjerim që më është bërë, se duhet të filloja me ndryshime ekonomike si Kina për Rusinë, më parë se ato politike, mendoj se ishin sugjerime të gabuara”.