Miku i Kolec Markut

Në vitin akademik 1963-64, ish-studenti shqiptar Androkli Kostallari po bënte kërkime në Seksionin e Dorëshkrimeve të Bibliotekës Kombëtare të Vjenës,të cilit i kishte tërhequr vëmendjen një vëllim me vjersha, i cili sipas Tij mbante titullin: "Poezi të Kolec Markut", ose në origjinal, "Gedichte fon Kolez Marku". Ky vëllim, sipas ish-studentit përbëhej prej 105 faqesh të daktilografuara vetëm nga njëra anë dhe që përmbanin gjithsej 167 vjersha. Vëllimi mbante shifrën Ser. Nov. 11. 912. Poshtë titullit të dorëshkrimit "Gedichte" jepen datat 1895-1932,që është periudha gjatë së cilës janë shkruar këto poezi. Në dorëshkrim nuk kishte asnjë shënim tjetër e, përpara së gjithash, nuk kishte asnjë të dhënë mbi autorin e kësaj vepre: "Kolez Marku", që duket emër shqiptari, nga areali veri-perëndimor dhe përfaqësonte një pseudonim dhe kjo kuptohej sepse ishte shkruar që në fillim, në faqen e parë, në vjershën me titull: "Pseudonimi im"( ose " Mein Pseudoniym") dhe vazhdonte"
Në të vërtetë unë nuk jam Kolec Marku.
Ai ishte një kreshnik trim dhe i fuqishëm.
Po për mua Ai ka qenë një mik i mirë.
Dhe vdekja kur të na bashkojë,
Sigurisht Ai do të më ndjejë,
Që unë kam përdorur emrin e Tij.
Kështu çështja e parë që i shtrohej për të zgjidhur studiuesit tonë ishte përcaktimi i autorit të vërtetë të këtij dorëshkrimi. Fakte dhe argumente të një karakteri të dyfishtë , të drejtpërdrejta e të tërthorta e çuan në përfundimin e sigurt se autori i këtij vëllimi ishte dijetari i mirënjohur hungarez Franc Nopça, një nga albanologët më të shquar të shekullit XX.
Për të identifikuar autorin e vëllimit studiuesi e ka patur disi vështirë, pasi teksti ishte i daktilografuar dhe jo me shkrim dore, por i vjen në ndihmë " miku i mirë " i autorit, Kolec Marku. Pra, i mbetet vetëm një element i drejtpërdrejtë dhe vendimtar: figura reale e Kolec Markut, dhe këtu ishin përqendruar kërkimet e studiuesit tonë dhe shton se: duke u kapur pas fijeve që na jep vetë përmbajtja e veprës, nga e cila duket qartë se autori është një nga shkencëtarët e huaj që njeh thellë botën shqiptare, e sidomos malësitë e veriut (deri në Bregun e Matit dhe Fushkuqe, fushën bregdetare që mbyllet nga jugu me Kepin e Rodonit. shën. im N.H.), ne iu drejtuam materialeve dokumentare-arkivale që ruhen në Shqipëri nga trashëgimia albanologëve të huaj. Siç dihet, në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë ruhen, ndër të tjera, edhe shumë dorëshkrime ne vlerë të albanologut Franc Nopça. Ndër ditarët e tij ( "Notizbuecher" ), në vëllimin VI, që i takon v. 1913, ndodhet një listë e shkruar me dorë nga vetë F. Nopça, ku ai rendit emrat e të njohurve që ka pasur në Shqipëri gjatë kërkimeve të Tij shumëvjeçare. Lista mban titullin : "Miq të njohur"("Bekante"). Aty janë shënuar rreth 190 emra personash nga viset të ndryshme të Shqipërisë së Veriut. Pranë çdo personi shënohet edhe fshati nga është. Në mjaft raste F. Nopça jep edhe ndonjë karakteristikë plotësuese të të njohurve të tij, duke shtuar edhe shënime si: “i mirë”, “simpatik”. Me këto shënime ai dallon miqtë e tij më të dashur. Në këtë listë, pikërisht në fq. 3, me nr. 19, rendit edhe emrin e Kolec Markut nga Bregu i Matës, me shënimin plotësues” i mirë ‘(gut). Më vonë vetë Nopça e ka fshirë këtë emër me tri vija përsipër dhe ka shtuar një kryq pranë emrit Kolec Marku, bashkë me shënimin " erm.( ermordet=vrarë).
Na del kështu, se Kolec Marku ishte “miku i mirë” i Franc Nopçës. Po për të cilin Kolec Mark është fjala? A kemi të bëjmë me të njëjtin person si te “Gedichte”, si te ditari i Nopçës? Autori i “Gedichte”-s na thotë se Kolec Marku “ishte një kreshnik trim dhe i fuqishëm”, d.m.th. një trim që nuk jetonte më, dhe nga ditari i Nopçës kuptojmë gjithashtu se miku i Tij Koloec Marku është vrarë përpara vitit 1913. Këto dy të dhëna përputhen dhe plotësojnë njëra-tjetrën. Ato forcojnë bindjen se është fjala për të njëjtin person dhe pikërisht për një malësor shqiptar nga Bregu i Matës, që kishte luftuar heroikisht dhe ishte vrarë përpara vitit 1913. Në Kryengritjen e Përgjithshme të vitit 1912 malësorët e Shqipërisë së Veriut luajtën një rol shumë të rëndësishëm. Vërtet me 15 gusht 1912, Kolec Marku, Gjok Dod Shkreli, Tom Xhuxhi e shumë të tjerë nga Fushkuqja, i pari ishte nga një lagje atëherë e Gurëzit të Bregut të Matës, të inkuadruar në çetat me kryetar patriotin e madh Ded Coku sulmuan në mbrëmjen e kësaj dite garnizonet turke të qytetit të Durrësit, por në saj të tradhtisë që bënë disa krerë të Tiranës duke marrë direktiva nga mbledhja tradhtare e Shkupit, për të thyer me para udhëheqësit e kryengritësve u arrit që ky sulm drejt Durrësit dhe ngritja e flamurit prej malësorëve të dështonte dhe që pati 10 të vrarë, kur po ktheheshin të dëshpëruar, të pavëmendshëm bregut të lumit Erzen ditën tjetër, më 16 gusht 1912. Nga kjo tradhti u vranë, Kolec Marku me dy shokët e tij nga Fushkuqja, Zef S. Arapi, intelektual nga Shkodra i shkolluar në Vjenë, sekretar i njërit prej Toptanëve që mori pjesë në mbledhjen e Shkupit, u plagos udhëheqësi i kryengritësve Ded Coku. Kostallari shkruan se në listën e Nopçës gjendet edhe një mik tjetër, Gjok Doda, edhe emri i këtij është mbuluar me tri vija me ngjyrë blu, duke i shtuar një kryq dhe shënimin “erm”. Heroizmi i këtyre luftëtarëve pati një jehonë të gjerë në jetën shqiptare.
Ai u këndua edhe në veprën madhore të At Gjergj Fishtës, në “Lahutën e Malsisë”:
“Kta malcort e Bregut të Matës,
Për mbas Dedës e Llesh Nik Dakës,
Poshtë n’at Durrës ata kanë ra,
Për t’buem turkun e m’kala
Me ngreh flamurin kuq e Zi
................................
Në poezi për të mos u zgjatur përmenden dhe dëshmorët e tjerë të kësaj dite si, Tom Xhuxhi, Prel Delia, Preng Gjeçi, Mark Përzefi, Mark Dudi, Gjek Daka dhe trim mbi trimat Dhesh Nik Daka. Flijimi i Kolec Markut për lirinë e Atdheut, që kurorëzoi virtytet e larta që kishte vlerësuar më përpara tek ai Franc Nopça, i frymëzuan albanologut një nderim të thellë për këtë bir fisnik të fushës bregdetare dhe ai e quajti për nder të merrte emrin e Tij. Ndjenjat më të sinqerta të Nopçës marrin një kuptim të thellë dhe krahas me një varg poezish të vëllimit "Gedichte fon Kolez Marku", hedh një dritë të veçantë mbi qëndrimin e autorit të tij ndaj shqiptarëve në përgjithësi e në veçanti për malësorët e fushës nga Alku, Gurëzi, Gorreja, Fushëkuqja, Adriatiku për luftën e tyre për Pavarësi Kombëtare. Edhe në këtë 99-vjetor do të kujtohen këta dëshmorë, do të kujtohet edhe miku i Kolec Markut nga Alku dhe i shqiptarëve, Franc Nopça.