Abuzim me tenderin, GJKKO dënon ish-kryebashkiakun e Kukësit me 2 vjet shërbim prove

TIRANË, 27 nëntor/ATSH/ Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dënon sot ish-kryebashkiakun e Kukësit, Granit Gjana me 2 vite shërbim prove pas gjykimit për abuzim me tenderin 21 milionë lekë për karburantin.
Sipas njoftimit zyrtar, vendimi u mor pas gjykimit të shkurtuar të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar që e dërgonte për gjykim të pandehurin Granit Gjana, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në dy raste, parashikuar nga Kodi Penal.
Në përfundim të gjykimit, trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët Etleva Deda, Erjon Çela dhe Flojera Davidhi vendosi deklarimin fajtor të të pandehurit Granit Gjana, për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe dënimin e tij me 1 vit burgim.
Po ashtu, GJKKO vendosi deklarimin fajtor të të pandehurit Granit Gjana, për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike dhe dënimin e tij me 1 vit burgim.
Sipas GJKKO, në aplikim të nenit për bashkimin e dënimeve u vendos dënimi i Gjanës me 1 vit e 6 muaj burgim. Në aplikim të nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale, u vendos ulja e dënimit me 1/3, duke e dënuar përfundimisht të pandehurin Granit Gjana me 1 vit burgim.
Gjykata vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim dhe vënien në provë të të pandehurit Granit Gjana për një periudhë prej 2 vitesh, me kusht që gjatë kohës së provës të mos kryejë vepër tjetër penale.
Urdhërohet i pandehuri Granit Gjana të mbajë kontakte me Shërbimin e Provës Tiranë dhe të mos marrë kontakt me persona të dënuar.
Në aplikim të nenit 35 të Kodit Penal, u vendos heqja e të drejtës për të ushtruar funksione publike për të pandehurin Granit Gjana për 5 vjet.