Gozhdojnë Qosjen
Në komunikatën e lëshuar nga Kryesia e ASHAK, deklaratat e akademik Qosjes cilësohen si gënjeshtra të qëllimshme, dhe me prapavijë të qartë.
Ndaj pohimeve të Qosjes se “ASHAK është një shtëpi private e LDK’së”, por edhe akuzave të tij se kolegët në ASHAK s’janë gjë tjetër pos “servilë të pushtetit”, ASHAK’u iu kundërpërgjigj të mërkurën, përmes një reagimi, sipas të cilit “Rexhep Qosja është edhe tash i vetmi akademik servil i pushtetit”.
Numërimi i të pavërtetave
Në reagimin e ASHAK’ut, të nënshkruar nga akademiku Besim Bokshi, mes tjerash thuhet se, akademiku Qosja nuk e thotë të vërtetën kur pohon se “në Akademi bashkë me të janë vetëm edhe dy a tre akademikë që nuk janë anëtarë të LDK’së”, sepse “e vërteta është se në tërë Akademinë vetëm dy akademikë janë anëtarë të LDK’së”, edhe pse ata në asnjë rast nuk ushtrojnë ndikim partiak.
Kryesia e ASHAK reagon edhe ndaj pohimeve të Qosjes, se Isa Mustafa është zgjedhur anëtar i ASHAK’ut, megjithëse ky është veprim antiligjor.
“E vërteta është se Ligji për Akademinë, që e ka nxjerrë Kuvendi i Kosovës më 2004, me asnjë nen nuk e ndalon zgjedhjen e ndonjë funksionari anëtar të Akademisë, kështu që zgjedhja e tij nuk ishte në kundërshtim me ligjin. Z. Mustafa është zgjedhur anëtar korrespondent i Akademisë si shkencëtar dhe ekonomist, në bazë të propozimeve përkatëse, sipas ligjit. Akademia nuk ka pasur kurrfarë interesi që të zgjedhë kryetarin e Komunës’, theksohet në reagim, derisa sqarohet se Akademia Musfatën e ka trajtuar sikurse të gjithë “anëtarët e tjerë korrespondentë dhe ai është sjellë vetëm si i tillë në kryerjen e punëve që ia ka caktuar Seksioni i Shkencave Shoqërore, pa as më të voglin gjest të sjelljes si autoritet politik”.
Kryesia e SHAK e quan të pavërtetë dhe tendencioz edhe vlerësimi e Qosjes, “se Akademia është politizuar skajshmërisht e se është bërë ‘shtëpi partiake’ e Lidhjes Demokratike të Kosovës”.
“E vërteta është se deri tash asnjë parti nuk ka shfaqur shenja për të dirigjuar punët e këtij institucioni të lartë të shkencës e të artit, asnjë synim për të cenuar pavarësinë dhe autonominë e tij. Me këtë shpifje, paturpësia e tij do që ta bëjë të nevojshëm ndëshkimin e dëshiruar prej tij dhe prej mbështetësve të tij ndaj Akademisë”, theksohet në reagim, ndërkohë që kujtohet edhe ajo se, përkundër akuzave të tilla “Qosja çdo herë është në listën e kandidatëve për zgjedhje në të gjitha funksionet e Akademisë, por nuk ka marrë votë”.
Në mesin e të pavërtetave, ASHAK numëron edhe pohimin e akademikut Qosja, se akademikët e Seksionit të Gjuhësisë e të Letërsisë “S’kanë bërë punë as shkencore, as artistike, as arsimore, as kulturore që të meritojnë të marrin rrogë kombëtare prej Kosovës. Jo. Përkundrazi ne kemi njerëz që s’kanë mundur të pranohen në akademi, që janë refuzuar kandidimet e tyre, e që kanë shumë merita për arsimin, për kulturën, për letërsinë, për artet dhe për shkencën që krijohet në Kosovë”.
Por ASHAK insiston se e vërteta ndryshon dukshëm nga ajo që thotë Qosja. Kjo për shkakun se, edhe pse të gjithë akademikët e apostrofuar janë tejet aktivë në punët e tyre shkencore dhe artistike, është e sigurt është se “asnjëri nuk e lakmon nivelin e veprës letrare e shkencore të Qosjes”.
Gënjeshtra e radhës, sipas Kryesisë së ASHAK, ka të bëjë me pohimin e Qosjes se disa akademikë “bëjnë luftë kundër gjuhës standarde”. Edhe kësaj here, e vërteta del ndryshe.
“Gjuhëtarët e Akademisë sonë janë anëtarë të Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Standarde të iniciuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, në bazë të vendimit të Konferencës gjuhësore ‘Shqipja standarde dhe shoqëria shqiptare sot’, të mbajtur më 2002”, thekson Kryesia në reagim, duke sqaruar se i njëjti Këshill “nuk është krijuar për të luftuar gjuhën standarde, por për ta begatuar aftësinë shprehëse të saj e të funksionalizimit shoqëror”.
E, në reagim nuk lihet anash as përgjigja ndaj akuzës së Qosjes, sipas së cilës “Akademia është e përkushtuar ndaj institucioneve politike dhe vijon atë traditë të servilizmit intelektual”. Ndaj kësaj akuze ASHAK përgjigjet duke ironizuar me kaluarën jo aq të largët të akademikut Qosja.
“E vërteta është se në kohën e pushtetit të LKJ’së ka pasur servilizëm intelektual, në të cilin ka qëndruar edhe Rexhep Qosja, si në rastin e pranimit anëtar të Akademisë të Sinan Hasanit, që ishte funksionar i lartë i partisë në Kosovë dhe në Jugosllavi. Rexhep Qosja është edhe tash i vetmi akademik servil i pushtetit”, nënvizohet në reagim.
Mbi moralin, stilin e akuzave dhe logjikën e tyre
ASHAK tutje përmend edhe kontradiktën mes “sharjeve dhe denigrimeve” që Qosja i bënë në llogari të Akademisë, edhe pse ai vetë “vazhdon të qëndrojë anëtar i kësaj Akademie me etikë të lënduar, pa pasur kurajën të jap dorëheqje nga ajo”. Megjithëse, nga ana tjetër, sipas ASHAK, edhe pse “po bëhen dhjetë vjet që nuk ka ardhur në Akademi, dhe që nuk i kryen obligimet që ka secili akademik”, Qosja nuk harron që rregullisht të merr shpërblimin. Paralelisht, në reagim thuhet edhe ajo se “Si askush në Kosovë, dhe në kundërshtim me ligjin, Qosja qe bërë drejtor i Institutit Albanologjik në mandat të tretë”.
Meqenëse akademiku Qosja pohon se gjendja në Akademi është “as e lejueshme, as e pranueshme, as e mundshme dhe e dëmshme për Kosovën”, ASHAK konsideron se ai, “në stilin e vjetër të një polici ai ua zbulon organeve përkatëse Akademinë si subjekt që duhet dënuar apo asgjësuar. Për më tepër, sipas ASHAK, Qosja madje “kërkon që akademikët të dënohen duke mos ua dhënë pagesën “ mujore fare. Një pagesë kjo prej 400 eurosh në muaj, që “ai e quan ‘rrogë kombëtare’, sa për të lënë përshtypjen se është e madhe”.
E, përveç gjithë këtyre akuzave të akademik Qosjes në adresë të ASHAK, ky i fundit përmend edhe “Monografinë për Kosovën”, e botuar kohë më parë nga Akademia, të cilën e cilëson si një përmbledhje e 60-70 autorëve, dhe si një libër “njësoj sikur i kohës së Stalinit, Çausheskut e Titos”. Andaj, ky pohim i tij, sipas ASHAK, është shumë i “denjë për lartësinë e tij intelektuale”
Reagimi i ASHAK ndaj deklaratave të akademik Qosjes përfundon me pohimin se krijimtaria dhe funksionimi normal i institucioneve shkencore dhe artistike nuk vlerësohet “me logjikën e bajraktarit dhe me inate”.
“Me derset e parreshtura ai hiqet si bashkues i kombit, ndërkaq shumë prej veprimeve të tij janë vetëm veprime të përçarjes. Me të tilla qëndrime Qosja tregon se është mbërthyer e izoluar në egocentrizmin e tij, në megalomaninë dhe në qëndrimin e një mësuesi pa kredibilitet. Do të dëshironim që të zbresë në tokë si njeri me masë reale të vlerësimit të punës së vet e me dashuri njerëzore ndaj kolegëve e ndaj të gjithëve, thuhet në fund të reagimit të ASHAK.
Lidhur me këtë reagim të Akademisë, gazeta bëri përpjekje të mërkurën që të merrte edhe ndonjë prononcim të akademik Rexhep Qosjes, por kjo nuk ishte e mundur.
Ministri Buja lavdëron Qosjen
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, mori pjesë të mërkurën në përurimin e kompletit të veprave të akademik, Rexhep Qosjes. Kompleti përmban njëzet e nëntë vëllime letrare.
Para të pranishmëve, ministri Buja theksoi rëndësinë e këtij promovimi për letërsinë dhe kulturën shqiptare. Ai potencoi se njëzet e nëntë vëllimet e Qosjes, jo vetëm që e dokumentojnë veprimtarinë e një krijuesi, por edhe i japin ndjesi të mirë lexuesit. Andaj, ato e bëjnë krenar institucionin që ka ndihmuar në botimin e tyre.
“Unë nuk isha ministër në atë kohë kur këto libra u ndihmuan për t’u botuar, në aspektin financiar. Unë nuk e di kush ndihet keq prej shqiptarëve që u bë kjo punë, që kjo vepër monumentale u ngrit në këto përmasa. Njeriu përmendoren ia ngre vetes sa është gjallë, me punën dhe angazhimin e tij”, pohoi ministri Buja.
Ministri, në fjalën e tij, bëri edhe një krahasim interesant të veprimtarisë individuale të Qosjes dhe të asaj të Akademisë së Shkencave, si institucion.
“Kur studioja letërsinë bëja një krahasim - nuk e di të drejtë apo jo - se cila histori e letërsisë është më komplete, ajo që e bëri profesor Qosja apo ajo që e bëri Akademia e Shkencave”, theksoi ministri Buja.
Ndryshe, ishte Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ajo që vitin e kaluar financoi botimin e kompletit të veprave të akademik, Rexhep Qosjes.