E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafikimi i objekteve kulturore, nisma për gjetjen e të humburave

24/11/2011  Janë rreth 2200 objekte kulturore të humbura në Shqipëri që pas vitit 1990 dhe që qeveria shqiptare në bashkëpunim me Interpolin po punojnë për rikthimin e tyre. Ky fakt u bë i ditur dje në konferencën ndërkombëtare me temë: “Lufta kundër trafikimit të paligjshëm të objekteve kulturore në Evropën Jug-lindore. Strategjitë për informimin, komunikimin dhe ndërgjegjësimin e opinionit publik”. Ky takim u organizua nga Zyra e UNESCO-s në Venecia dhe Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, me mbështetjen e fondit “Një OKB në Shqipëri”.

U bë e ditur se ndërkohë ka sinjale pozitive për gjetjen e disa prej këtyre objekteve për të cilat do të përgatiten procedurat e nevojshme për kthimin në vendin e tyre të origjinës.

Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, z. Aldo Bumçi gjatë fjalës së tij tha se: “Grabitja e pasurive tona kulturore është sa një fenomen negativ aq edhe cenim i identitetit kombëtar dhe në këtë kuadër ne kemi angazhuar të gjithë institucionet kombëtare, partnerët dhe institucionet përgjegjëse ndërkombëtare për të siguruar intensifikimin e epërsisë së veprimit në përputhje me legjislacionin kombëtar dhe konventave ndërkombëtare, por edhe kthimin e tyre në vendin e origjinës”. Trafikimi i paligjshëm, shtoi ministri Bumçi, prek të gjithë gamën e gjerë të trashëgimisë materiale, “për pasojë mbetet detyrë primare, përkushtimi, nxitja dhe angazhimi në funksion të organizimit të takimeve të këtij niveli, pasi shkëmbimi i eksperiencave dhe rrahja e mendimeve mbetet gjithmonë rruga më e mirë për rritjen e efektshmërisë së strategjive të përdorura në këtë drejtim, por edhe reflektimi i mendimeve dhe politikave në veprime reale dhe frytdhënëse sa në drejtim të parandalimit aq edhe në funksion të identifikimit dhe kthimit të tyre në vendin e origjinës”. Ministri theksoi gjithashtu edhe rëndësinë që ka kthimi i Qendrës së Restaurimit në një qendër rajonale, për trajnimin e specialisteve të restaurimit dhe konservimin e këtyre objekteve.

Lufta kundër trafikimit të paligjshëm mbetet një nga çështjet kryesore në axhendën politike të të gjithë vendeve të Evropës Juglindore, të cilët tashmë që të gjithë e kanë ratifikuar Konventën (1970) “Mbi Mjetet për Ndalimin dhe Parandalimin e Importit, Eksportit dhe Transferimit të Pronësisë së Pasurive Kulturore”. Specifikisht, autoritetet shqiptare e ratifikuan këtë Konventë në vitin 2002.

Në kuadrin e veprimtarive të UNESCO-s për forcimin e mbrojtjes së objekteve kulturore dhe luftës kundër trafikimit të tyre të paligjshëm, yyra e UNESCO-s në Venecia finalizoi në maj 2011 një video 15 minuta, me mbështetjen e Komisioneve Kombëtare dhe Ministrive të Kulturës, për sensibilizimin në luftën kundër trafikimit të paligjshëm të mallrave kulturore, kushtuar në mënyrë specifike për rajonin e Evropës juglindore. Gjeografia e filmit shtrihet në këto vende: Shqipëri, Bullgari, Bosnje dhe Hercegovinë, Kroaci, Qipro, Greqi, Mal të Zi, Rumani, Serbi, Slloveni, ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, Turqi.

Kjo video e re u bë për një auditor më të gjerë, me synimin për të rritur ndërgjegjësimin e publikut për luftën kundër trafikimit të paligjshëm të objekteve kulturore në Evropën Juglindore; për të evidentuar e përhapur përvojat më të mira në këtë fushë; për të vënë theksin në problemet specifike në rajon (si p.sh vjedhja e trashëgimisë fetare); për të treguar imazhe të objekteve të famshme dhe të çmueshme të vjedhura dhe të rikuperuara; për të promovuar vlerën e gjithë llojeve të trashëgimisë kulturore të luajtshme; për të rritur ndërgjegjësimin e publikut të gjerë mbi rëndësinë e kontributit të tyre për menaxhimin/mbrojtjen e nevojshme të trashëgimisë së tyre kulturore. Ky film informativ dhe ndërgjegjësues, i cili përmban mesazhe të thjeshta e të qarta, u përgatit për të promovuar idealet dhe objektivat e Konventës 1970 në Evropën Juglindore (parandalimin dhe bashkëpunimin) dhe me ambicien për të përhapur gjerësisht nga rrjetet televizive, muzetë dhe institucionet kulturore, sitet e trashëgimisë kulturore, zyrat turistike, rrjetet e transportit publik (autobusët, aeroportet, trenat) në rajonin e Evropës Juglindore.

E për këtë arsye, filmi do të shërbejë për të treguar dimensionet më të rëndësishme të trafikimit në Evropën Juglindore, nevojën për të mobilizuar opinionin publik; për të zhvilluar dhe ndarë përvojat më të mira përmes bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar.

Në vazhdën e realizimit të videos, UNESCO në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve organizon në Tiranë këtë takim, kushtuar në mënyrë specifike për kontekstin shqiptar, për të reflektuar në mjetet e komunikimit në nivel kombëtar, dhe për të sensibilizuar aktorët e ndryshëm të angazhuar në politikat, mekanizmat dhe strategjitë e komunikimit, përhapjes dhe sensibilizimit; profesionistët e turizmit, muzetë, institucionet kulturore, rrjetet televizivë dhe socialë, radiot, sitet e trashëgimisë, ministritë e kulturës, operatorët turistikë, kompanitë ajrore dhe aeroportet kryesore, shtëpitë e ankandeve, galeritë e arteve. Falë mbështetjes të Qeverisë Federale të Austrisë, video është përkthyer në shqip.

Në të njëjtën kohë, në kuadër të parandalimit të trafikimit të objekteve të trashëgimisë kulturore, MTKRS prezanton dy posterat e prodhuar me qëllim vendosjen e tyre në të gjitha pika te kalimit kufitar të Shqipërisë (shqip dhe anglisht) për të informuar qytetarët për riskun që sjell dëmtimi, transportimi dhe fshehja e informacionit lidhur me objektet e trashëgimisë kulturore.

B. Goce

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›