E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gra dhe fëmijë shfrytëzohen në Tiranë

22/06/2009  Policia dhe Prokuroria inegzitente. S’marrin asnjë masë për arrestimin e tutorëve të fëmijëve

Policia: I dimë zonat problematike dhe tutorët, por s’veprojmë dot pa denoncimin e viktimave

TIRANE- Rreth 100 persona midis tyre gra dhe fëmijë shfrytëzohen si lypsa në rrugët e kryeqytetit nga persona, që për punonjësit e policisë janë shumë të lehtë për t’u identifikuara dhe arrestuar. Mirëpo si për çudi, autoritetet ligjzbatuese të vendit policia dhe Prokuroria, deri më tani nuk kanë marrë asnjë masë parandaluese të këtij fenomeni, megjithëse herë pas here në dyert e këtyre institucioneve depozitohen denoncime nga personat e dëmtuar. Rasti më evident nga ku mund të shihet me mirë problemi i shfrytëzimit të grave dhe fëmijëve është zona e lumit të Lanës si dhe në disa zona të tjera të Tiranës. Pikërisht në këto zona sipas punonjësve të policisë janë rreth 100 qytetarë, kryesisht të minoritetit rom që detyrohen nëpërmjet dhunës fizike dhe psikologjike të lypin në rrugë pa dëshirën e tyre. Megjithëse uniformat blu janë të vetëdijshme se shumica e njerëzve që lypin në rrugë, shfrytëzohen nga persona që i survejojnë në çdo moment të ditës, ata nuk marrin asnjë masë për arrestimin dhe dënimin e tyre. Qëndrimi inegzistent i specialistëve të policisë dhe Prokurorisë ka bërë që numri i personave që shfrytëzohen në këto zona të rritet nga viti në vit, dhe të shërbejë për trafikimin e tyre në shtetet fqinje, vende në të cilat ata përsëri shfrytëzohen nga tutorët shqiptarë. Çudia ndodh, se kur tutorët apo të dëmtuarit arrestohen nga autoritet e huaja, ata procedohen penalisht ose ekstradohen në Shqipëri për t’u gjykuar nga pala shqiptare. Kjo e fundit megjithëse ka pasur shumë informacione mbi aktivitetin kriminal të personit që ka shfrytëzuar gruan apo fëmijët, nuk ka filluar asnjë ndjekje penale, kur i arrestuari ka qenë në Shqipëri. Në çdo analizë vjetore Drejtuesit e Policisë së Tiranës kanë transmetuar një sërë shifrash konkrete për parandalimin dhe arrestimin e personave që shfrytëzojnë si lypsa fëmijët dhe gratë në rrugët e Tiranës. Edhe sikur këto shifra të jenë të mirëqena, vetë specialistët e sektorit të antitrafikëve shprehen të bindur se policia dhe shteti shqiptar nuk ka bërë asgjë për parandalimin e shfrytëzimit në rrugë të grave dhe fëmijë. Punonjës pranë këtij sektori shprehen se rrënjët e këtij problemi s’ka nevojë t’i hetosh fare, pasi ato tashmë kanë dalë në sipërfaqe. “Për t’i parë ato, por edhe personat që kryejnë këtë veprimtari kriminale, mjafton të bësh një gjiro me makinë në dy krahët e lumit të “Lanës”, në sheshin “Skëndërbej”, në rrugën “Myslym Shyri” si dhe në zonën e ish-Bllokut. Pikërisht në këto zona, ku dhe lëvizja e qytetarëve është më e madhe, dallohen qartë duke lypur fëmijët dhe gratë që në disa raste janë edhe shtatzëna”,- shprehen punonjësit e policisë. Sipas tyre, punonjësit e policisë shumë prej të dëmtuarve i kanë shoqëruar në ambientet e policisë, por më pas ata janë lënë përsëri të lirë dhe asnjë prej personave që i shfrytëzon ata për qëllime përfitimi nuk është ndaluar. Kjo situatë ka ndodhur pasi vetë viktimat, kur shoqërohen në ambientet e komisariatit nga frika e ndonjë hakmarrjeje të tutorit nuk pranojnë të kryejnë kallëzim penal. Mirëpo me gjithë tërheqjen e viktimave, policia që me drejtat që i jep Kodi Penal nuk vepron. Nisur nga kjo situatë ndryshimet që u bënë në 2008 në Kodin Penal, lidhur me parandalimin e shfrytëzimit të fëmijëve dhe grave, deri tani nuk kanë dhënë asnjë rezultat pozitiv. Neni i miratuar nga Parlamenti shqiptar, pothuajse nuk është zbatuar fare nga punonjësit e policisë, pasi në zonat e sipërcituara të kryeqytetit vazhdojnë të shfrytëzohen për qëllime përfitimi fëmijë dhe gra shtatzëna. Sipas ligjit që është shtuar tashmë në Kodin Penal, parashikohet që shfrytëzimi i fëmijëve të mitur për punë apo shërbime të detyruara, përfshirë edhe kërkesën për lëmoshë nga prindërit apo kujdestarët ligjore, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim deri në një vit dhe me gjobë të përcaktuar. Kur shfrytëzimi i fëmijës së mitur bëhet nga të tretët dënohet me burgim deri në tre vjet dhe me një gjobë më të madhe. Ndërsa kur shfrytëzimi i fëmijës së mitur sjell pasoja të rënda për shëndetin ose sjell vdekjen përbën krim dhe dënohet me burgim nga 3 deri 7 vjet. Megjithëse ky ligj e përcakton shumë qartë fatin e personave që kryejnë aktivitete që bien ndesh me të, policia dhe Prokuroria nuk ka nisur asnjë procedim penal për të ndaluar personat që me dhunë fizike dhe psikologjike detyrojnë fëmijët dhe gratë të dalin në rrugë për të lypur.

Shumica e viktimave janë fëmijë dhe gra 15 deri në 25 vjeç

Raporti i DASH, kritika të forta Shqipërisë për trafikun dhe fëmijët

TIRANË- Në raportin vjetor të Departamentit të Shtetit të ShBA-ve theksohet qartazi se Shqipëria është një vend burim për burra, gra dhe fëmijë të trafikuar për qëllime të shfrytëzimit seksual dhe punës së detyruar, përfshi lypjen e detyruar. Duke e renditur vendin tonë në grupin e dytë për sa i përket nivelit të trafikimit të personave, ku raporti përcakton se viktimat shqiptare trafikohen kryesisht në Greqi, si dhe në Itali, Maqedoni, Kosovë, Spanjë, Francë, Mbretërinë e Bashkuar dhe vende të tjera të Evropës Perëndimore, si dhe brenda në Shqipëri. Të dhënat në dispozicion tregojnë se më shumë se gjysma e viktimave të trafikimit janë nën moshën 18 vjeç. Shumica e viktimave të trafikimit janë gra dhe vajza të moshës 15 deri 25 vjeç dhe 90 për qind janë shqiptare etnike. Fëmijë etnikë romë janë në rrezik më të madh për lypje të detyruar. Ekzistojnë të dhëna që burra shqiptarë janë trafikuar për punë të detyruar në sektorin bujqësor në Greqi dhe vende të tjera fqinje. Gjithashtu në raport theksohet se Qeveria e Shqipërisë nuk përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit; megjithatë, ajo po bën përpjekje domethënëse për ta bërë këtë. Qeveria demonstroi vullnet politik në rritje për të luftuar trafikimin njerëzor gjatë vitit të kaluar, sidomos nëpërmjet përparimit të bërë në përpjekjet e saj për të identifikuar viktima të trafikimit. Mbeten shqetësime lidhur me nëse qeveria ndoqi penalisht energjikisht kundërvajtës të trafikimit të punës dhe zyrtarë publikë që morën pjesë apo lehtësuan trafikimin njerëzor. Në rekomandimet për Shqipërinë përfshihet: Të hetojë dhe ndjekë penalisht zyrtarë ligjzbatues, të cilët marrin pjesë në trafikim; të ndjekë penalisht energjikisht kundërvajtës të trafikimit të punës; të vazhdojë të punojë me OJQ dhe shoqërinë civile për të siguruar zbatimin e plotë të mekanizmit kombëtar për referimin e viktimave tek ofruesit e shërbimeve; të vazhdojë të financojë shërbime për ndihmën dhe mbrojtjen e viktimave, përfshi strehët, si dhe të përmirësojë programet ekzistuese parandaluese në bashkëpunim me OJQ, përfshi veprimtari të përbashkëta që synojnë uljen e kërkesës për trafikim njerëzor. Qeveria e Shqipërisë bëri njëfarë përparimi në përpjekjet e saj ligjzbatuese kundër trafikimit gjatë vitit 2008. Shqipëria ndalon me ligj trafikimin seksual dhe të punës me anë të Kodit Penal, i cili parashikon ndëshkime pesë deri në 15 vjet burgim. Këto ndëshkime janë mjaftueshëm shtrënguese dhe kapërcejnë ato të parashikuara për përdhunimin. Gjatë vitit 2008, Shqipëria ndoqi penalisht 22 çështje trafikimi, krahasuar me 49 në vitin 2007, si dhe dënoi 26 kundërvajtës trafikimi.

Në hartim morën pjesë edhe OJF-të

Bregu, nismëtarja e ligjit që mbron fëmijët

TIRANE- Për t’i dhënë fund këtij problemi që çdo ditë e më tepër zhvillohet në rrugët e Tiranë, më 22 prill të 2007 deputetja Majlinda Bregu, njëkohësisht ministre e Integrimit, e mbështetur edhe nga një sërë OJF-sh të të drejtave të fëmijëve dhe grave, paraqiti në Kuvend një nismë ligjore, e cila pas disa kohësh u miratua nga Parlamenti, si ligj i veçantë në Kodin Penal. Sipas këtij ligji, parashikohet që shfrytëzimi i fëmijës së mitur për punë apo shërbime të detyruara, përfshirë edhe kërkesën për lëmoshë nga prindërit apo kujdestarët ligjore, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim deri në një vit dhe me gjobë të përcaktuar. Kur shfrytëzimi i fëmijës së mitur bëhet nga të tretët dënohet me burgim deri në tre vjet dhe me një gjobë më të madhe. Ndërsa kur shfrytëzimi i fëmijës së mitur sjell pasoja të rënda për shëndetin ose sjell vdekjen përbën krim dhe dënohet me burgim nga 3 deri 7 vjet. Nismëtarët e këtij ligji propozuan që në Kodin Penal të saktësoheshin edhe masat ndëshkuese edhe për ata persona, të cilët shesin fëmijët. Sipas ligjit, ofrimi, dhënia apo pranimi i shitjes së fëmijës për qëllime të shfrytëzimit seksual, transferimit të organeve të fëmijës për qëllime fitimi apo birësimit të paligjshëm të tij, dënohet me burgim deri në shtatë vjet. Masa ndëshkuese parashikohen edhe ndaj prindërve apo të afërmve, të cilët abuzojnë me fëmijët. Do të konsiderohen abuzim emocional me fëmijën edhe ato veprime që shkaktojnë dëmtime të shëndetit fizik, mendor, moral dhe social që kanë sjellë si pasojë kufizimin e lirisë së lëvizjes, sjellje denigruese, kërcënuese dhe frikësuese, të cilat dënohen me gjobë ose me burgim deri në 3 vjet.

Ligji në Kodin Penal

Sipas ligjit që është shtuar tashmë në Kodin Penal, parashikohet që shfrytëzimi i fëmijëve të mitur për punë apo shërbime të detyruara, përfshirë edhe kërkesën për lëmoshë nga prindërit apo kujdestarët ligjore, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim deri në një vit dhe me gjobë të përcaktuar. Kur shfrytëzimi i fëmijës së mitur bëhet nga të tretët dënohet me burgim deri në tre vjet dhe me një gjobë më të madhe. Ndërsa kur shfrytëzimi i fëmijës së mitur sjell pasoja të rënda për shëndetin ose sjell vdekjen përbën krim dhe dënohet me burgim nga 3 deri 7 vjet.

Pretendimi i policisë

Punonjës pranë këtij sektori shprehen se rrënjët e këtij problemi s’ka nevojë t’i hetosh fare, pasi ato tashmë kanë dalë në sipërfaqe. “Për t’i parë ato, por edhe personat që kryejnë këtë veprimtari kriminale, mjafton të bësh një xhiro me makinë në dy krahët e lumit të “Lanës”, në sheshin “Skëndërbej”, në rrugën “Myslym Shyri” si dhe në zonën e ish-Bllokut. Pikërisht në këto zona, ku dhe lëvizja e qytetarëve është më madhe, dallohen qartë duke lypur fëmijët dhe gratë që në disa raste janë edhe shtatzëna”,- shprehen punonjësit e policisë. Këta thonë se viktimat kanë frikë të kryejnë kallëzim penal ndaj tutorëve.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›