E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionet suplementare për akademikët

22/06/2009  Efektet financiare të llogaritjes së pensioneve do të nisin që nga 1 janari i 2010-s

Profesorët grupohen në dy kategori, sipas të cilave specifikohet dhe lloji i përfitimit

Duke filluar nga 1 janari i 2010-s, në skemën e trajtimit me pensione suplementare do të përfshihen edhe stafet akademike që kanë tituj shkencor. Mbështetja me përfitim suplementar do të specifikohet në bazë të titullit që ata mbajnë gjatë ushtrimit të profesionit. Përfitimin maksimal do ta gëzojnë ata që janë mbartës të titullit “Profesor”, ndërkohë që masa e trajtimit do të pësojë rënie në bazë të pozicionit të punës. Megjithatë, është përcaktuar që kufiri maksimal i pensionit suplementar të mos jetë më i lartë se katër pensione bazë pleqërie, duke përfshirë këtu të gjitha llojet e përfitimit. Gjithashtu kjo masë suplementare nuk mund të jetë në asnjë rast më e vogël se 6 për qind e pagës referuese. Ndërsa për personat që nuk kanë kontribuar në skemë, përfitimi nuk mund të jetë më shumë se 50 për qind e pensionit të pleqërisë.

Ndarja

Ekzistenca e titujve shkencorë është kushti kryesor i përcaktuar nga qeveria për trajtimin me pensione suplementare të stafeve akademike, ndarja e të cilave është specifikuar në dy grupe bazë. Konkretisht, në grupin e parë bëjnë pjesë të gjithë personat që mbajnë titullin “Profesor” dhe “Drejtues kërkimesh”, të cilët e kanë të siguruar periudhën e përcaktuar sipas ligjit të ushtrimit të detyrës së bashku me titullin e marrë. Përkundrejt këtij specifikimi është bërë dhe ndarja në grupin e dytë, ku përfshihen personat që mbajnë titullin “Profesorë të asociuar” dhe “Mjeshtër kërkime”. Këta të fundit kanë të faktuar si periudhë të mbajtjes së titullit kohën e përcaktuar nga qeveria, e cila i ka bërë pjesë të skemës përfituese.

Titujt

Sipas vendimit të miratuar nga qeveria shqiptare, janë specifikuar dhe periudhat e ushtrimit të titullit, ku bëjnë pjesë marrja e titujve shkencorë, si “Profesor”, “Profesor i asociuar” (“Drejtues kërkimesh”, “Mjeshtër kërkimesh”), sipas vendimit të Komisionit të Vlerësimit të Titujve Akademik të Ministrisë së Arsimit. Njëkohësisht përfitues do të jenë edhe personat që mbajnë titujt e mësipërm, të cilët kanë derdhur kontribut suplementar duke qenë në marrëdhënie pune me universitetet, shkollat e larta, Qendrën e Studimeve Albanologjike, Akademinë e Shkencave dhe të gjitha institucionet e tjera kërkimore në vend.

Masa e përfitimit sipas titujve

Sipas ndryshimeve të bëra me vendim të posaçëm nga qeveria, është vendosur që masa e pensionit suplementar që do të shkojë për këtë kategori të llogaritet me rreth 1,3 për qind të pagës referuese. Kjo skemë do të ndiqet për çdo vit që akademiku me titullin “Profesor” ka ushtruar profesionin e tij. Ndërsa për pjesën tjetër, që i përkasin klasifikimit “Asistent profesor”, për masën e llogaritjes së pensionit suplementar do të merret parasysh 1,1 për qind e pagës referuese për çdo periudhë njëvjeçare të ushtrimit të profesionit. Njëkohësish është përcaktuar dhe limiti i përftimit për secilën kategori, që nuk mund të jetë më i madh se 4 pensione bazë pleqërie në total.

Kushtet/kontributet

Për të gëzuar të drejtën e pensionit suplementar, personat që gëzojnë titujt shkencorë duhet të plotësojnë kushtet tradicionale të daljes në pension pleqërie. Zyrtarizmi bëhet pas paraqitjes së kërkesës dhe listës së dokumentacionit nga ana e të interesuarit pranë organeve të sigurimeve shoqërore. Ndërsa kontributet suplementare që do të paguhen në fondin e sigurimit suplementar shtetëror janë: 3.5 për qind e pagës bruto mujore për të punësuarit në institucione publike, 7 për qind e pagës bruto mujore për të punësuarit në institucione jopublike. Për personat që nuk kanë kontribuar, masa e përfitimit nuk mund të jetë më shumë se 50 për qind e pensionit të pleqërisë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›