E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabitën 3 automjete, ndalohet një i ri, tjetri në kërkim

GJIROKASTËR- Grabisnin kasetofonët e automjeteve, një i ri vendoset në pranga, një tjetër shpallet në kërkim. Informacionet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër kanë bërë të ditur se Klodian Çobo, 22 vjeç, lindur dhe banues në Gjirokastër, i arrestuar tashmë dhe Mikel Çinga, 20 vjeç, lindur në Gjirokastër dhe banues në Durrës, i shpallur në kërkim disa ditë më parë kanë dëmtuar dhe grabitur 3 automjete në qytetin e Gjirokastrës.


"Gjatë orëve të natës kanë vjedhur me thyerje kasetofonët e tre automjeteve në pronësi të shtetasve A.C, A.DH, dhe E.A, banues në lagjen "18 shtatori" të qytetit Gjirokastër. Këta shtetas përveç kasetofonëve kanë marrë edhe materiale pune në bagazhin e automjetit të shtetasit E.A. Shtetasit e dëmtuar kanë bërë denoncim në Drejtorinë e Policisës ë Qarkut Gjirokastër", ka bërë të ditur zëdhënësi i policisë, Gentian Mullai. Kanë qenë informacionet e marra në rrugë operative ato që kanë bërë të mundur zbardhjen e tri rasteve të vjedhjeve dhe vendosjen në pranga të njërit prej autorëve. "Vjedhje e kryer në bashkëpunim" është vepra penale që rëndon mbi ta.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›