E Shtunë, 31 Tetor 2026

KMDLNJ përkrahë protestën kudër zgjedhjeve serbe

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNJ) e ka mbështetur organizimin e protestave më 30 maj në Mitrovicë kudër zgjedhjeve serbe në Kosovë, duke vlerësuar se nëse nuk ndalohen ndërhyrjet e Serbisë atëherë edhe mund të përshkallëzohet situata e sigurisë.

Përmes një kumtese për media, KMDLNJ përveç mbështetjes ka shfaqur besimin se këto protesta do të jenë paqësore dhe në mbrojtje të integritetit territorial dhe sovranitetit të Kosovës.

“KMDLNJ në Prishtinë në tërësi i mbështet protestat nëse do të organizohen më 30 maj në Mitrovicë nga OVL e UÇK kundër zgjedhjeve që Serbia i organizon në veri të Kosovës”.

Këto protesta paqësore KMDLNJ i konsideron si paralajmërim për bashkësinë ndërkombëtare dhe institucionet e Kosovës se nëse nuk ndërmerren veprime parandaluese kundër ndërhyrjes së Serbisë në Kosovë, atëherë situata e sigurisë mund të përshkallëzohet me pasoja të paparashikueshme.

Duke përkrahur karakterin paqësor të këtyre protestave KMDLNJ edhe ka vlerësuar se këto protesta nuk janë kundër qytetarëve të Republikës së Kosovës, pavarësisht përkatësisë etnike dhe fetare, por janë kundër ndarjes së Kosovës në dy etnitete politike dhe etnike, e që për çdo ditë po bëhet më e dukshme.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›