Studimi, 27% e femrave trafikohen brenda vendit

Zyra e Bashkëpunimit Zviceran organizoi seminarin për barazinë gjinore. Raportet flasin për shifrat e trafikimit
Vendi ynë ka ende rrugë përpara për të realizuar në lidhje me barazinë gjinore, ndërsa viktimat e trafikimit vazhdojnë të jenë një fenomen problematik. Kjo u bë e ditur dje në seminarin e realizuar nga Zyra e Bashkëpunimit Zviceran në Shqipëri, ku u prezantuan praktikat e mira për barazinë gjinore. "Udhëtimi i Shqipërisë drejt integrimit Europian do të jetë më i lehtë nëse burrat dhe gratë ecin me të njëjtin ritëm. Për barazinë gjinore ka ende për tu bërë dhe duhet punuar shumë." Ky ishte mesazhi i ambasadores së Zvicrës në Shqipëri, Yvana Enzler.
Ndërsa oficerja e programit pranë zyrës së Bashkëpunimit Zviceran, Silvana Mjeda, theksoi se barazia gjinore dhe fuqizimi i grave janë kriter kryesor për zhvillimin e një vendi. Në seminar u prezantuan një sërë raportesh të trafikimit, ku një raport nga USAID përmend faktin se vihet re rritja e trafikimit të brendshëm në vitet e fundit. Sipas këtij raporti, konstatohet se rreth 27 për qind e viktimave të trajtuara në katër strehëza janë trafikuar brenda vendit. "Ky fenomen vazhdon të zhvillohet në formën e shfrytëzimit të femrave në prostitucion ditor.
Por problematike është edhe fakti se ka një numër të konsiderueshëm të viktimave të trafikimit që janë nën moshën 18 vjç", - bëhet e ditur në raport. Gjithashtu, studimet tregojnë se ka një shpërndarje gjeografike relativisht të gjerë dhe për lehtësi interpretimi ajo është grupuar në tre rajone si 48 për qind janë nga zonat jugore të vendit, 37 për qind nga zonat e Shqipërisë së Mesme dhe 15 për qind janë nga zonat veriore dhe verilindore të vendit.