Grabitën kasafortën bosh, identifikohen

Foto ilustruese
Shërbimet e policisë në Elbasan kanë identifikuar dy autorët e grabitjes së kasafortës dhe të një kompjuteri në zyrat e filialit të postës në lagjen Vullnetari të qytetit të Elbasanit.
Ngjarja ndodhi dje në orët e para të mëngjesit, kur autorët kanë hapur me forcë dritaren dhe janë futur brenda.
Dy personat në fjalë, të cilët mendohet se kanë përdorur edhe maska, kanë hyrë në zyrat e postës dhe kanë grabitur kasafortën, me mendimin se aty ishin depozituar sasi të konsiderueshme të hollash. Njëkohësisht ata kanë marrë edhe një kompjuter.
Por sipas hetimeve paraprake rezulton se grabitësit nuk kanë pasur mundësi të gëzohen, pasi në kasafortë nuk ka pasur asnjë qindarkë. Pas grabitjes, policia dhe grupi hetimor kanë shkuar në vendin e ngjarjes duke grumbulluar provat e nevojshme.
Nisur nga provat në vendngjarje dhe gjurmët e gishtave, policia ka deklaruar në orët e vona të pasdites se ka identifikuar autorët, por emrat e tyre nuk bëhen të ditur për shkak të hetimeve. Ndaj autorëve është ngritur akuza e vjedhjes së kryer në bashkëpunim. / Bardha Nergjoni