Grabitësit e veturave lukzose, 29 vite burg

VENDIMI
Gjykata e Krimeve të Rënda, vendosi dje të dënojë dy personat e akuzuar për 9 grabitje me armë të VIPA-ve
TIRANË- Gjykatës së Krimeve të Rënda në kryeqytet iu deshën 41 seanca gjyqësore për tu bindur se dy të pandehurit Bledar Hasani (Memia) dhe Bujar Sefa, janë fajtorë për "vjedhjen me armë" të shtatë makinave luksoze për të cilat u dënuan me 29 vite burg në total.
Kështu, pasditen e djeshme pesëshja gjykuese e kryesuar nga gjyqtarja Ilirjana Olldashi, pasi dëgjoi pretendimet e avokatëve mbrojtës dhe konkluzionet përfundimtare të prokurorit të çështjes Ardian Nezha një javë më parë, vendosi t'i deklarojë fajtorë ata për kryerjen e veprave penale të "Vjedhjes me dhunë"; "Vjedhjes së pasurisë që ka sjellë pasoja të rënda" të gjitha të kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal.
Sipas vendimit të gjykatës, i pandehuri Bujar Sefa dënohet me 15 vjet burg, pasi përveç kryerjes së vjedhjeve me armë ka qenë personi që kryente edhe shitjen e tyre dhe ndërrimin e numrave të shasisë.
Ndërsa, për të pandehurin Bledar Hasani (Memia) gjykata vendosi dënimin e tij me 15 vjet burg, duke e cilësuar si ekzekutorin kryesor të shtatë vjedhjeve të kryera nëpër rrugët e Tiranës dhe në qytetin e Kavajës.
Ndërkohë, prokurori i çështjes, Nezha, gjatë leximit të konkluzioneve përfundimtare, kërkoi që i pandehuri Bledar Hasani të deklarohet fajtor për vjedhjen me armë të pesë veturave, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe dënimin e tij me 15 vjet burg.
Ndërsa, për të pandehurin Bujar Sefa, prokurori Nezha kërkoi deklarimin fajtor, për dy vjedhje me armë në bashkëpunim dhe shitjen e tre mjeteve të tjera pas vjedhjes, duke kërkuar dënimin e tij me 16 vite burg.
Sipas vendimit me nr.8 të dhënë dje nga Gjykata, dy të pandehurit ishin bashkëpunëtorë të grupit të personave të arrestuar gjatë operacionit të policisë të koduar me emrin "Rexhina" në korrik të 2007, Dritan Hamiti, Edmond e Gentjan Neza dhe i penduari i "bandës" Erlind Taullaj.
Arrestimi i këtij të fundit dhe dëshmia e tij dhënë para prokurorëve bëri që "grupi" të zbulohet dhe të kryhen arrestimet e mëpasme. Këta të pandehur brenda datës 27 tetor 2006 deri më datë 27 gusht 2007 kanë kryer vjedhjen e tetë makinave në shtatë episode të ndryshme.
Pre të këtyre grabitësve ka rënë edhe këngëtarja Ermiona Lekbello e ish-kreu i Dhomës Kombëtare të Tregtisë, Gjokë Uldedaj dhe biznesmenë të ndryshëm, të cilëve i janë vjedhur makinat e tyre luksoze.