E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, lëndë plasëse para shtëpisë së gazetarit

Policia bëri të ditur se bëhet fjalë për një pako me rreth 100 gramë lëndë plasëse e disa fitilë të pandezur



SHKODËR - Vendoset lëndë plasëse në afërsi të apartamentit ku jeton familja e një gazetari, por lënda plasëse nuk ka shpërthyer dhe policia ka bërë të mundur çaktivizimin e saj.


Ka qenë ora 06:00 e së enjtes kur banorë të një pallati në lagjen "Skënderbeg" të Shkodrës kanë parë një pako të mbështjellë dhe një fitil në sheshpushimin e katit të tretë, në afërsi të apartamentit të shtetasit Bashkim Dushi, 65 vjeç. Komshija që ka parë pakon ka lajmëruar policinë, ndërsa efektivat e policisë kanë kryer veprimet në vendin ku është gjetur pakoja me rreth 100 gramë lëndë plasëse dhe disa fitilë të pandezur.


Ajo është dërguar në laboratorin përkatës për ekzaminim, ndërsa janë pyetur gjithë banorët. Sipas tyre, pas mesnatës, rreth orës 01:30 kanë dëgjuar lëvizje në shkallët e pallatit, ndërsa në mëngjes kanë gjetur pakon me lëndën plasëse. Shtetasi Bashkim Dushi nuk ka qenë në banesë dhe shtëpia nuk ka pasur asnjë njeri pasi familjarët kishin shkuar një ditë më parë në Tiranë tek djali i tyre që jeton atje me familjen e tij.


Nga veprimet e policisë mësohet se Bashkim Dushi nuk ka ndonjë konflikt me njeri dhe as ka pasur probleme të tilla ndonjëherë. Pista ku po hetohet lidhet me kanosje ose hakmarrje ndaj djalit të Bashkim Dushit, i cili punon si gazetar në Tiranë në një emision investigativ të një prej televizioneve kombëtare.


Gazetari Ervin Dushi jeton në Tiranë me familjen e tij, ndërsa prindërit jetojnë në Shkodër, në katin e tretë të pallatit, vetëm pak centimetra larg derës së të cilit u gjet lënda plasëse. Vetë gazetari nuk ka pasur dijeni për ngjarjen pasi ka qenë jashtë vendit me shërbim dhe e ka mësuar këtë nga drejtuesit e policisë së Shkodrës dhe familjarët e tij të njoftuar nga fqinjët.


Policia mendon se veprimi lidhet me punën e gazetarit, por akoma nuk ka autorë të dyshuar. Sipas policisë, lënda plasëse nuk ka qenë e ndezur dhe mund të jetë vënë për kërcënim ose nuk ka premtuar koha të ndizej fitili pasi autorët kanë dëgjuar lëvizjet e fqinjëve që qarkullojnë nëpër pallat dhe janë larguar pa e kryer aktin. Hetimet vazhdojnë. A.D.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›