Grabitësit kërkohen me helikopter
Policia e Tiranës ka kryer prej dy ditësh patrullime me helikopter në kërkim të dy autorëve të grabitjes me dhunë të dy tregtarëve në Priskë të kryeqytetit.Angazhimi i policisë në identifikimin e autorëve shpjegohet me faktin që dy personat dyshohet se paraqesin rrezikshmëri të lartë kriminale. Për këtë arsye për dy net me radhë pas ngjarjes, një helikopter i forcave speciale RENEA, ka patrulluar zonën nga vendi i ngjarjes, në Priskë e deri përreth Farkës, ku u gjet e braktisur makina e tregtarëve të grabitur tri ditë më parë. Grupi hetimor ka siguruar të dhëna në rrugë operative se dy grabitësit mund të kryejnë edhe në ditët në vazhdim grabitje të tjera. Për këtë arsye, policia po kryen vëzhgimin e zonave nga ajri dhe toka, në mënyrë që të parandalohet grabitja e radhës, por edhe të arrestohen autorët. Policia deklaroi se i ka identifikuar dy personat e maskuar dhe të armatosur që grabitën Ramazan Danë dhe Edmonda Hoxhën, por emrat e tyre nuk mund të bëhen publikë për arsye hetimi. Çifti i tregtarëve ambulantë u sulmua mbrëmjen e së enjtes nga dy persona të armatosur, të cilët u morën veturën, një sasi të konsiderueshme kartash rimbushësh dhe kompanive satelitore, vlera e të cilave shkon në rreth 15 milionë lekë të vjetra, si dhe një sasi të konsiderueshme parash. Autorët u zhdukën me veturën e grabitur në pak minuta, ndërsa rreth një orë pas krimit makina u gjet e braktisur nga policia në fshatin Farkë të Tiranës. Ngjarja ndodhi të enjten në mbrëmje rreth orës 19:00, në fshatin Priskë të Tiranës, rrugës për në malin e Dajtit, kur dy persona të panjohur i bllokuan rrugën çiftit të tregtarëve, Ramazan Dana dhe Edmonda Hoxha, e nën kërcënimin e armëve i detyruan ata të zbrisnin nga mjeti i tyre, duke iu marrë më pas veturën, paratë dhe vlerën e mallit, kryesisht karta rimbushësh të një rrejti televiziv satelitor. Grupi i gatshëm i forcave speciale RENEA u vu në ndjekje të autorëve por pa mundur të zbulojë vendndodhjen e tyre dhe ti arrestojë.
15 milione
lekë ka qenë vlera e mallit e cila është grabitur tri ditë më parë në automjetin e dy tregtarëve që po udhëtonin për në Priskë të Tiranës. Tregtarëve iu grabit me dhunë edhe automjeti, i cili u gjet më pas i braktisur në Farkë
ETLEVA DELIA