Kreu i shoqatës, mashtrim me viza punësimi në Australi dhe Kanada
TIRANE Prokuroria e Tiranës përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjykatë dosjen penale ndaj shtetasit Hider Buci, i akuzuar për mashtrimin e qytetarëve kundrejt premtimeve për nxjerrje vizash. Pak ditë më parë, dosja penale ndaj Hider Bucit ka mbërritur në Gjykatën e Tiranës. Prokuroria e akuzon Hider Bucin se ka mashtruar disa qytetarë, duke u hequr si kryetar i një shoqate emigrantësh dhe duke premtuar nxjerrjen e vizave për jashtë shtetit, kundrejt pagesave të mëdha financiare. Prokuroria pohon në dosjen e saj se Hider Buci, ka përdorur emrin e shoqatës Unioni Kombëtar i Emigrantëve Shqiptarë, për të mashtruar të dëmtuarit nga kjo vepër penale. Në emrin e kësaj shoqate, sipas Prokurorisë, shtetasi Hider Buci akuzohet se u ka premtuar qytetarëve të ndryshëm viza punësimi në Australi e Kanada. Vizat, i pandehuri i ka premtuar në këmbim të pagesave 1000 deri në 3500 euro. Sipas hetimeve të Prokurorisë, në bashkëpunim me disa persona të tjerë, Hider Buci u ka premtuar viza qytetarëve të ndryshëm dhe më pas, nuk e ka realizuar shërbimin për të cilin merrte shuma të mëdha parash. Akuza pohon se pasi merrte paratë, Hider Buci dhe bashkëpunëtorët e tij nxirrnin pretekste ndaj qytetarëve të mashtruar, me pretendimet për shtyrjen e datës së marrjes së vizës. Më pas ata zhdukeshin pa gjurmë, duke mos kthyer paratë e marra, por duke mos dhënë as vizat e premtuara. Qytetarët e mashtruar filluan të denoncojnë në polici në vitin 2009, duke treguar gjithë skemën e abuzimit. Sipas denoncimeve të mbërritura në polici, mashtrimet ishin kryer ndaj shtetasve të ndryshëm në Tiranë dhe në Shkodër. Nga hetimet, Prokuroria thotë se Hider Buci ka mashtruar të paktën 25 persona, të cilëve u premtonte vizë, u merrte paratë dhe nuk u mbaronte porosinë.
25 qytetare
dyshohet se janë mashtruar nga shtetasi Hider Buci, i cili u ka marrë shuma nga 1000 deri në 3500 euro kundrejt premtimeve për viza punësimi në Australi dhe në Kanada, por më pas nuk i ka siguruar këto dokumente