E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabitet “Tirana Bank”, maskat vjedhin 3.5 milionë në autostradë

07/05/2010 Dy autorët u morën paratë edhe klientëve

TIRANE- Dy persona të armatosur kanë hyrë dje në filialin e bankës “Tirana Bank” që ndodhet në autostradën Tiranë-Durrës, nga ku kanë marrë plot 3.5 milionë lekë të vjetra. Aktualisht policia nuk ka asnjë të dhënë mbi identitetin e autorëve të këtij krimi, por burimet sqaruan se lidhur me këtë çështje janë marrë dëshmitë e punonjësve të bankës, si dhe janë sekuestruar pamjet filmike të regjistruara nga kamerat e bankës. Gjithashtu hetime po kryen edhe për sa i përket drejtimit të largimit të dy personave, të cilët sipas dëshmitarëve rezultojnë të jenë rreth moshës 20-25 vjeç. Ngjarja e rëndë u shënua në orën 10:30, ku dy autorët në mënyrë të shpejtë arritën të shkojnë në arkën e bankës, ku nën presionin e armës të llojit pistoletë morën 3 milion e gjysmë lekë. Aktivizimi i sistemit të alarmit ka bërë që këta persona të largohen me shpejtësi, duke mos vazhduar të marrin shuma financiare nga arka e kësaj banke. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë shkuar forcat e sigurisë, të cilat në bashkëpunim edhe me Shoqërinë e Ruajtjes dhe Sigurisë Fizike, si dhe me Punonjësit e Sigurimit të Brendshëm të Bankave të Nivelit të Dytë, kanë filluar hetimet për të zbardhur autorët e ngjarjes. Nga deklarimet e punonjësve të kësaj banke, mësohet se autorët kanë qenë të maskuar dhe nën presionin e armës ata kanë marrë shumën financiare. Burimet sqaruan se shuma prej 3.5 milionë lekësh nuk i është grabitur vetëm bankës, por edhe qytetarëve të ndryshëm që ndodheshin brenda bankës në momentin kur ndodhi ngjarja. Autorët i kanë detyruar qytetarët që të dorëzonin çdo lekë që ata kishin me vete, pasi në rast të kundërt ata do qëllonin me armë në drejtim të tyre.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›