E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arsyet e shpëtimit të ekonomisë shqiptare nga kriza

07/05/2010 Kryeministri Berisha flet mbi situatën ekonomike në Forumin e Krans Montanës

Ekonomia shqiptare, edhe pse ka përjetuar pasojat e krizës ndërkombëtare, për kryeministrin Sali Berisha arriti të mos bëhet pjesë e saj. Gjatë Forumit të Krans Montanës, që po mbahet në Tiranë, shefi i ekzekutivit shqiptar ka renditur arsyet e mospërfshirjes së vendit tonë në një nga krizat më të rënda ekonomiko-financiare të dekadave të fundit. Në vlerësimin e tij, ngarkesa e ulët fiskale ndaj biznesit, ekzistenca e një sektori publik i vogël, i cili nuk rëndon në supet e taksapaguesve, si dhe investimet e rëndësishme dhe strategjike, kryesisht në infrastrukturë, janë tri elementet kryesore që bënë të mundur mosrrënimin e ekonomisë shqiptare. “Investitorët kanë nevojë jo vetëm për ligje të mira, por dhe për infrastrukturë të mirë, për shërbime të mira. Prandaj qeveria ime ka lëvizur në të gjitha drejtimet. Ne jemi të angazhuar që ta bëjmë vendin tonë me ngarkesën fiskale më të ulët në Evropë”, - ka argumentuar kreu i qeverisë. Gjatë këtij forumi kryeministri përqendroi vëmendjen te mundësitë që ofron vendi për investime në fushën e energjisë. Për këtë qëllim janë nënshkruar 200 kontrata koncesionare për stacionet hidrike, janë vendosur kontakte me qeverinë e Katarit, e interesuar për ndërtimin e një centrali 2500 megavatësh, me qëllim transportim e energjisë në tregun italian dhe atë evropian, si dhe po punohet mbi projektin e gazsjellësit transadriatik. Por kryeministri cilësoi si një projekt ambicioz të qeverisë shqiptare ndërtimin e një centrali bërthamor për prodhimin e energjisë. Duke iu referuar të dhënave zyrtare, ai u shpreh se pasi Shqipëria mori ftesën për në NATO e deri më sot, është mundësuar nënshkrimi i 5 miliardë dollarë koncesione dhe investime të drejtpërdrejta të huaja. Berisha pohoi se investimet e huaja janë ulur disi gjatë kësaj periudhe të vështirë të ekonomisë globale, por që nuk janë tërhequr. Sipas tij, pasojat e krizës bënë të mundur që rritja ekonomike në Shqipëri nga 8% të binte në 3.5%. Të njëjtin fat patën edhe eksportet. Megjithatë, për shefin e ekzekutivit vijimi i reformave nga ana e qeverisë dhanë fytet e veta dhe si rrjedhojë eksportet e Shqipërisë në tremujorin e parë të këtij viti janë rritur më shumë se 100%. Ai ka mbrojtur edhe sistemin bankar shqiptar, duke e vlerësuar si një ndër më të shëndoshët në botë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›