Grabitet banesa e te moshuarve

25 vjeçari Hekuran Meta ka projektuar grabitjen ndaj vjehrrit dhe vjehrrës së të motrës, por më pas është prangosur së bashku me bashkëpunëtorët e vet në këtë krim.
Një bashkëpunim i ngushtë mes komisariateve të policisë së Shijakut dhe Matit ka bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e të përfshirëve të cilët kanë mundur të marrin me dhunë 2 milionë lekë të reja nga banesa e një 69 vjeçari dhe të largohen.
Dy prej të arrestuarve janë nga Dibra dhe me banim në Manëz të Durrësit, ndërsa dy të tjerët janë nga fshati Lis i Burrelit.
Në pranga përveç Hekuran Metës, kunatit të djalit, kanë rënë Ylber Murati 23 vjeç me banim në Manëz dhe Ardian Çupi e Riza Shera, përkatësisht 23 dhe 18 vjeç nga Mati.
Katër të rinjve të akuzuar për ngjarjen iu gjet dhe sekuestrua shuma e grabitur të cilën e kishin ndarë mes tyre pas vjedhjes, si dhe dy automatikë dhe një pushkë.