E Shtunë, 31 Tetor 2026

?Kombësia? në Kushtetuese

Kryetari i Gjykatës se Sarandës Alltun Çela i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese te shfuqizoje disa nene te ligjit për deklarimin dhe ndryshimin e kombësisë ne Shqipëri. Sipas kryegjyqtarit te Sarandës këto nene janë te papajtueshme me kushtetutën. Çela deklaron: ?Kërkesa e ligjit me të cilën shtetasit detyrohen të deklarojnë kombësinë e tyre në aktin e lindjes, si dhe mënyra që parashikon ligji për të ndryshuar kombësinë vijnë në kundërshtim me përcaktimet kushtetuese, sipas të cilave shtetasit, pavarësisht se cilës pakicë kombëtare i përkasin nuk mund të detyrohen të deklarojnë përkatësinë e tyre qoftë kombëtare , etnike, gjuhësore apo fetare.? Por çfarë parashikojnë dy nga katër nenet e këtij ligji qe sipas gjyqtarit Çela bien ndesh me nenet 19 dhe 20 te kushtetutës se Shqipërisë. Në nenin 58 të ligjit përcaktohet se: Fëmija merr kombësinë e prindërve me kombësi të njëjtë, të dokumentuar në regjistrin kombëtar të gjendjes civile. Kjo kombësi nuk mund të ndryshohet, përveç rasteve, kur, sipas ligjit, vërtetohet pasaktësia e kombësisë së prindërve, ose kur ka një vendim gjyqësor të formës së prerë, për ndryshimin e atësisë apo të amësisë. Ndryshimi i kombësisë, në çdo rast, bëhet me vendim gjyqësor. Sipas nenit 42 të ligjit përcaktohet se: Akti i lindjes është procesverbali, që mbahet për çdo të lindur, i nënshkruar nga nëpunësi i gjendjes civile në bashki/njësi bashkiake/komunë dhe deklaruesi. Ai përmban: kombësinë, në përputhje me kombësinë e prindërve; Me ligjin nr 10129, datë 11.05.2009 ?për gjendjen civile? , elementi ?kombësi? është përcaktuar si përbërës i gjendjes civile të një shtetasi shqiptar duke detyruar në këtë mënyrë çdo shtetas që të deklarojë kombësinë e tij, e cila detyrimisht duhet të përfshihet si element përbërës i gjendjes së tij civile. Por sipas kryetarit te Gjykatës se Sarandës janë pikërisht përcaktimet ne nenet 6, 8, te ligjit për gjendjen civile qe bien ndesh me kushtetutën. Ai pohon se antikushtetutshmëria e ligjit u vu re gjate shqyrtimit te një padie bere nga familja Kocaleni ndaj zyrës se gjendjes civile për shpalljen te pavlefshme te certifikatave te lindjes se fëmijëve e tyre, lidhur me përbërësin e kombësisë, duke kryer ndryshimin e përbërësit të kombësisë në regjistrat e palëve të paditura nga ?shqiptare? në ?greke?.

Shpërndaje          

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›