Grabitet me armë kazinoja ilegale. Plagosen tre veta
Maskat e armatosura kthehen në Korçë me një grabitje spektakolare. Panik në qytet, të shtëna armësh, tre të plagosur dhe 30 mijë euro të grabitura dhunshëm. Grabitësit mbushin xhepat me paratë e bastit në një pikë të paligjshme dhe mes të shtënave të armëve largohen në drejtim të paditur. Ngjarja, sipas policisë, ka ndodhur në orën 04.30 të mëngjesit të së hënës. Tre persona të maskuar dhe të armatosur me pistoleta kanë grabitur me dhunë disa persona në një dhomë ilegale kumari në qytetin e Korçës. Ngjarja ka ndodhur në një ndërtesë në periferi të qytetit, në afërsi të një pike karburanti në rrugën e Dishnicës, në kryqëzimin e autostradës Korçë-Kapshticë. Policia raporton për një person të plagosur me armë zjarri dhe dy të tjerë që kanë marrë plagë nga goditjet me mjete të forta. Një prej personave që ndodhej në dhomën ku organizoheshin ilegalisht tavolina pokeri është plagosur në këmbë, por ka dalë nga gjendja kritike për jetën, pavarësisht nga hemorragjia që ka pasur. Burime të spitalit kanë deklaruar se në urgjencë janë paraqitur ndaj të gdhirë tre persona të plagosur, dy prej të cilëve janë trajtuar për disa plagë të lehta, ndërsa i treti është mbajtur në reanimacion, për shkak të një plage me armë zjarri në këmbë. Burimet e spitalit bëjnë të ditur se i plagosuri me armë zjarri është Gjergji Konopulli, ndërsa një tjetër i plagosur me mjete të forta është Ardian Pino, të dy banorë të qytetit të Korçës. Ndërkohë, policia nuk e ka bërë të ditur identitetin e personave të dëmtuar dhe as ka paraqitur një version zyrtar mbi këtë ngjarje të rëndë. Mësohet se për këtë rast kanë nisur hetimet nga sektori i krimeve të rënda të Drejtorisë së Policisë së Korçës. Sipas deklarimeve të personave të dëmtuar, kanë qenë tre persona të maskuar që kanë hyrë papritur në dhomën ku luhej kumar në mënyrë ilegale. Grabitësit kanë bërë thirrje që të gjithë të shtrihen përtokë, por kur kanë hasur në rezistencë, njëri prej të maskuarve ka qëlluar me armë, duke plagosur në këmbë Gjergji Konopullin, ndërsa të tjerët kanë qëlluar në ajër për të përhapur panik. Grabitësit kanë qëlluar gjithashtu me qytat e pistoletave disa prej të pranishmëve. Në pak minuta, tre personat e maskuar kanë grumbulluar të gjitha paratë që ndodheshin në tavolinat e lojës dhe ato që kishin nëpër xhepa kumarxhinjtë dhe janë larguar me shpejtësi. Burimet zyrtare të policisë thonë se bëhet fjalë për një shumë totale prej 30 mijë eurosh. Policia ka thënë se grabitësit janë ende të paidentifikuar. Nga sa ka dalë nga hetimet paraprake mbi këtë ngjarje, autorët kanë përdorur për t‘u larguar një mjet pa targa. Pasi kanë dalë nga banesa ata kanë vijuar me të shtënat në ajër për të krijuar panik dhe më pas kanë hipur në një mjet pa targa dhe janë larguar në autostradën Korçë-Kapshticë në drejtim të Devollit. Uniformat blu të Korçës janë vënë në lëvizje për të gjetur autorët e kësaj ngjarjeje të rëndë dhe shumë shpejt kanë mundur t‘i identifikojnë ata. NMë orët e pasdites, policia njoftoi se kishte arrestuar si persona të dyshuar për këtë ngjarje shtetasit Gentian Kosta 32 vjeç dhe Markel Busho 25 vjeç, të dy banues në Korçë dhe të dënuar më parë për armëmbajtje pa leje dhe shitje lëndësh narkotike. Policia ka shpallur në kërkim edhe shtetasin Mateo Aliko, 21 vjeç, i cili dyshohet të jetë personi i tretë i përfshirë në këtë ngjarje. Sipas policisë, tre grabitësit e frekuentonin edhe vetë "kazinonë" ilegale në periferi të qytetit dhe kishin informacione se të dielën do të organizohej një tryezë pokeri ku do të luhej me shuma të mëdha.