E Diel, 1 Nëntor 2026

Sherr për ullinjtë, plagoset me çifte një grua

Konflikti për pronën për pak sa nuk i ka marrë jetën një gruaje dje në fshatin Gramsh të Lushnjës. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së dielës, kur Shpëtim Mara, i cili ka qenë duke mbledhur ullinj në tokën e tij, është ngatërruar me pronarët e parcelës fqinje. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, mësohet se të dy familjet, Mara dhe Hekurani, kishin pretendime për pronësinë e ullinjve të njëri-tjetrit dhe vitet e shkuara kishin vjelë ullinj sipas dëshirës së tyre, duke e kryer këtë proces gjatë orëve të natës, pasi ditën ishte e rrezikshme për të dyja palët. Pasditen e së dielës, të dy pretenduesit kishin marrë ullinjtë që ishin në pemët larg kufirit të sherrit. Duke rënë muzgu, të dyja palët u janë afruar rrënjëve për të cilat konfliktoheshin dhe kanë nisur që t‘i vjelin ato. Këtu, Shpëtim Mara është përleshur me Shpëtim Hekuranin dhe gruan e tij, Antonetën. Menjëherë pas sherrit, Mara, 30 vjeç, ka shkuar në banesën e tij, vetëm 1 kilometër larg ullishtës, dhe ka marrë armën e gjahut që mbante pa leje. Në pak minuta ai është kthyer në vendin ku ndodhi sherri dhe pa thënë asnjë fjalë ka shtënë në drejtim të çiftit Hekurani. Duke mbrojtur bashkëshortin nga goditja me çifte, Antoneta Hekurani është hedhur përpara trupit të tij dhe për pasojë është plagosur rëndë. Gruaja ka marrë mbi pesë saçma në bark dhe në duar. Ndërsa autori i krimit është larguar me të shpejtë nga vendi i ngjarjes, Shpëtim Hekurani ka marrë gruan e plagosur dhe e ka transportuar me një automjet të fshatit për në spitalin civil të qytetit të Lushnjës, ku ndodhet edhe sot 45-vjeçarja. Sipas mjekëve, saçmat i kanë dëmtuar një pjesë të aparatit tretës 45-vjeçares, e cila ndodhet ende në rrezik për jetën. Policia, e njoftuar nga spitali për ngjarjen, ka shkuar rreth dy orë me vonesë në fshatin Gramsh. Grupi hetimor ka gjetur disa prova në vendin e ngjarjes, ndërkohë që nga marrja në pyetje e banorëve të zonës ka krijuar një ide mbi motivin e përplasjes mes bashkëfshatarëve. Gjithashtu policia ka identifikuar autorin dhe pas katër orë kërkimesh e ka ndaluar atë në banesën e një të afërmi. Së bashku me autorin policia ka gjetur edhe armën e krimit. Burimet zyrtare nga Komisariati i Policisë Lushnjë sqarojnë se arma ka qenë një çifte gjahu që Mara e mbante pa leje. Pas shoqërimit në mjediset e komisariatit dhe pas sekuestrimit të armës së gjahut si provë materiale, policia e ka njohur autorin me dy akuzat, të cilat janë "vrasje e mbetur në tentativë", si dhe "armëmbajtje pa leje".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›