E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranë, drejtuesi i motorit del nga rruga e përplaset me pemën

TIRANE - Drejtuesi i një motoçiklete 50-kubikësh, mbeti i plagosur mesditën e djeshme në bulevardin “Zhan d’Ark”, pasi mjeti i tij u përplas me një pemë.

Orges Lato rreth 20 vjeç, banues në Tiranë, mbeti i plagosur pasi sipas policisë po udhëtonte me shpejtësi në bulevard nga pallatet e Shallvareve për në drejtimin e bulevardit “Gjergj Fishta”. I plagosuri Lato,  sipas burimeve policore në vendngjarjes, ka qenë duke ecur me shpejtësi kur është përplasur me një pemë në anë të rrugës duke mbetur i dëmtuar në krah. Ai ka humbur drejtimin e mjetit, ç’ka ka bërë që ai të dalë nga rruga dhe të përplaset me pemën. Policia mbërriti në vendngjarjes ndërsa i dëmtuari ishte nisur për në Spitalin Ushtarak për t’i dhënë ndihmën e parë mjekësore. Menjëherë pas kësaj ngjarjeje, komisariati i Policisë Rrugore nisi një aksion për bllokimin e të gjithë motorëve pa dokumente që qarkullonin në rrugë, si dhe të drejtuesve që udhëtonin pa mbrojtëse të kokës. Ky aksion ka më tepër se një javë që po kryhet nga Policia Rrugore dhe ka çuar në bllokimin e qindra mjeteve të kësaj natyre. Veç bllokimit të motorëve, Policia Rrugore ka gjobitur masivisht edhe drejtuesit e mjeteve që nuk mbajnë rripin e sigurimit gjatë lëvizjes në rrugë. Ndërkaq aksidenti i ndodhur mesditën e djeshme ishte i dytë me motoçikleta në 24 orë. Të shtunën në mbrëmje rreth orës 21:30, një tjetër motoçikletë me të cilën udhëtonin dy të rinj jo më tepër se 16-vjeçarë, u përplas me një “Mercedez”. Drejtuesi i motoçikletës u plagos rëndë, ndërsa shoku i tij mori plagë të lehta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›