Grabitja e bankës, dyshime për të burgosurin në liri
I dënuari për rrëmbim personi, Gjergj Cukali, dyshohet se ka organizuar grabitjen e bankës, gjatë ditëve të lejes nga burgu
TIRANË- Leja 3-ditore nga burgu i Rrogozhinës i ka mjaftuar Gjergj Cukalit për të përshtjelluar edhe një tjetër herë policinë e Tiranës. I burgosuri për rrëmbim personi, gjobëvënie e grabitje është ndaluar dy ditë më parë me një makinë të vjedhur “Porche Cayenne”, ndërsa dyshohet se ai ka gisht në grabitjen me maskë të njëbanke, mesditën e djeshme. Policisë së Tiranës i ka bërë përshtypje që Cukali kishte mundur të merrte leje nga burgu, por nuk është ndaluar, pasi nuk rezultoi i implikuar në çështjen e makinës së vjedhur. Vetëm një ditë më pas, policia u njoftua për grabitjen me armë të një banke. Gjergj Cukali është kthyer dje rreth orës 16.00 në burgun e Rrogozhinës, por duket se koincidencat e kanë shtyrë policinë të ngrejë dyshime se ai mund të jetë i implikuar në këtë grabitje.
***
“Raiffeisen Bank” u grabit dje, në orën 13:50, kur një person i maskuar dhe i armatosur ka vjedhur një sasi parash që ndodheshin në arkë. Forcat e komisariatit të policisë nr.3, të sinjalizuar për ngjarjen mbërritën pranë bankës brenda pak minutash. Policia mori në pyetje punëtorët e bankës ndërsa bëri këqyrjen e provave. Pas disa orësh oficerët e policisë mundën të identifikonin si autorin e dyshuar kryesor për grabitjen Sulejman Bakallin, i cili u ndalua, por dyshohet se plani i grabitjes është përgatitur nga i dënuari “në liri”, Gjergj Cukali. “Të mos lëvizë njeri se do ta vras. Dua paratë”,-ka thënë grabitësi i maskuar, i cili i është afruar me pistoletë në dorë një arkëtareje të filialit të bankës që ndodhet pranë sheshit “Rilindja”. Ka marrë me shpejtësi rreth 300 mijë lekë të reja dhe është zhdukur sa hap e mbyll sytë.Sipas deklarimeve të punonjësve të bankës, autori ka hyrë me shpejtësi në bankë dhe pasi ka marrë një sasi parashështë larguar sërish me shpejtësi. Asnjë prej punëtorëve nuk ka mundur të lëvizë, madje as rojet e sigurisë nuk janë përpjekur të kapin grabitësin, pasi janë përballur me pistoletën dhe me kërcënimin e autorit se do t’i vriste nëse e ndalonin. “Autori kishte veshur rroba të zeza, fytyrën e kishte mbuluar ndërsa kishte vënë dhe një kapele në kokë. Me pistoletën në dorë ai iu afrua njërës prej arkëtareve dhe duke e kërcënuar e detyroi t’i jepte paratë. Pasi mori një shumë prej 3 milionë lekësh të vjetra ai u largua me shpejtësi të madhe, ndërsa asnjëri prej personave që ndodheshin në bankë në atë moment nuk mundi të lëvizte nga frika e armës me të cilën autori kërcënonte se do të qëllonte”, -tha për “Shekullin” një punonjëse e bankës.
Policia
Vetëm pasi kanë parë që grabitësi u largua nga banka, punonjësit dhanë alarmin për ngjarjen. Pesë minuta më pas, forca të shumta të policisë mbërritën në bankë për të sqaruar rrethanat e ngjarjes. Policia evakuoi punëtorët dhe disa prej tyre u shoqëruan në komisariat për t’u marrë në pyetje. “Sipas deklarimeve të dhëna nga punonjësit e bankës, grabitësi ishte rreth 20-25-vjeç dhe në ambientet e filialit të Raiffeisen Bank kishte hyrë vetëm ndërsa dyshohet se ai ka pasur bashkëpunëtorë të cilët e prisnin jashtë bankës për tu larguar”,- thanë burimet zyrtare nga policia. Vetëm disa orë më pas, policia identifikoi si autorin e dyshuar të ngjarjes Sulejman Bakallin, i dënuar më parë për një sërë veprash penale si vrasje, grabitje etj, por dyshimet për organizimin e krimit bien mbi Gjergj Cukalin, i cili është kthyer në burg për të vuajtur dënimin prej 10 vjetësh heqje lirie.
Zv.drejtori i Burgjeve, Lulzim Kodra, mohon që i burgosuri të jetë përfshirë në incidente
Burgjet: Leja për Cukalin, sipas ligjit
TIRANË- ZvDrejtori i Përgjithshëm i Burgjeve mohon dyshimet se i dënuari Gjergji Cukali është përfshirë në ndonjë ngjarje kriminale. “Gjergji Cukali ndodhet në qelitë e burgut të Rrogozhinës dhe ka respektuar lejen e dhënë nga institucioni ku ai vuan dënimin. Për dhënien e lejes, institucioni i vuajtjes së dënimit në Rrogozhinë ka respektuar ligjin, që parashikon se çdo të dënuari i takon leja vjetore prej 20 ditësh. Gjergji Cukali është marrë nga familjarët tre ditë më parë dhe dje në orën 16 i mbaronte afati i kthimit. Ai është kthyer nën shoqërinë e familjarëve në orën 15:40 minuta, duke respektuar afatin e dhënë nga drejtoria e Burgut. Është e vërtetë që ai, mbrëmjen e së enjtes është ndaluar nga policia në rrugën “Myslym Shyri”, ku po udhëtonte bashkë me një shokun e tij. Pas ndalimit nga policia, ai është prezantuar me dokumentet e udhëtimit dhe lejen që institucioni i burgut ia ka dhënë për tre ditë. Pas verifikimeve të kryera nga policia, i dënuari Gjergji Cukali është lënë i lirë”,-ka sqaruar për “Shekullin” Lulzim Kodra, zv.drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve.