Ngërçi ekonomik, bankat shtrëngojnë kredinë
Rritja e shpejtë e kredive të këqija dhe kriza që ka përfshirë prej 1 viti një pjesë të sektorëve vitalë të ekonomisë, ka detyruar bankat që të shtrëngojnë dorën në dhënien e kredive. Në një vrojtim të realizuar, Banka e Shqipërisë bën të ditur se, bankat e nivelit të dytë raportojnë se janë treguar më konservatore në pjesën e dytë të vitit 2007, gjatë procesit të miratimit të kredive të reja për bizneset. Kjo, veçanërisht për bizneset e mëdha dhe për kreditë me afat të gjatë maturimi, në formën e kredive për investime. Në lidhje me llojin e kredimarrësit, standardet e kredive për korporatat janë shtrënguar, ndërsa për bizneset e vogla dhe të mesme (SME) kanë pasur një prirje modeste lehtësuese. BSH, bën me dije se katër bankat e mëdha, që zënë 53% të tregut, kanë vendosur edhe barrierat e para në dhënien e kreditit. Kurse bankat e vogla, që zotërojnë 32% të tregut, kanë ndjekur politika lehtësuese. Në lidhje me mënyrën e përdorimit të kredisë, bankat janë treguar më konservatore si në dhënien e kredive për investime afatgjata, ashtu dhe për nevoja të kapitalit qarkullues të korporatave. Politika më konservatore e ndjekur nga bankat është nxitur nga shqetësimi mbi problemet specifike të sektorit ku ndërmarrjet operojnë, rritja e treguesve të kredive me probleme dhe paqartësitë për zhvillimet aktuale dhe të pritshme makroekonomike.