E Diel, 1 Nëntor 2026

Mishi i importit pushton tregun vendës

Në çdo dyqan që të pyesësh në kryeqytet apo në rrethe për mishin që tregtohet, përgjigja është e shpejtë: “Është mish vendi i freskët”. Por në të vërtetë, tregu i mishit vendës sa vjen e po ngushtohet. Shqipëria ka importuar rreth 100 milionë euro mish, kafshë të gjalla dhe nënprodukte të tij, gjatë vitit që lamë pas. Të dhënat bëhen të ditura nga ana e Qendrës Kombëtare të Tregtisë, ndërsa të dhënat që paraqet Ministria e Bujqësisë flasin për një pushtet ende të fortë të prodhimit vendës në treg. Ministria e Bujqësisë bën të ditur se gjatë vitit 2007 janë importuar rreth 25 mijë ton mish importi, ndërsa prodhimi vendës është 75 mijë ton. Të pyetur nga gazeta, grosistët e mishit bëjnë të ditur se në vend mungojnë shifrat e sakta të prodhimit vendës, në një kohë që rritja e importeve ka qenë shumë e dukshme. Sipas të dhënave që vihen në dispozicion nga ana e doganave, gjatë 3 viteve të fundit, importi i mishit ka pësuar një rritje prej më shumë se 50% apo në shifër, 30 milionë euro. Gjedhët e gjalla, origjina mbetet BullgariaKafshët që importohen nga jashtë për t’u therur në vend, kapin një vlerë që për vitin 2007, sipas doganave, mbërrin në 24 milionë euro. Kategoria më e madhe e mishit që futet në vend, ka si destinacion përpunimin dhe një pjesë tjetër vjen e gatshme për t’u shitur në formën e nënprodukteve të tij. Mishi që vjen i gatshëm për t’u shitur ose në formën e nënprodukteve, vlerësohet në një import vjetor prej 50 milionë eurosh. Një pjesë tjetër të rëndësishme në pjesën e produkteve që vijnë nga jashtë dhe që futen në këtë kategori janë edhe peshqit dhe molusqet e tjera. Volumi i importeve të kësaj kategorie shkon në 100 milionë euro.Pjesa dërrmuese e kafshëve të gjalla që vijnë për t’u therur në Shqipëri dhe për t’u shitur në tregun vendës, kanë si vend të tyre të origjinës Bullgarinë. Nga ky vend vijnë vetëm gjedhët e gjallë, ndërsa kategoritë e tjera të kafshëve kanë destinacione të tjera, si Greqia dhe Hungaria. Sipas grosistëve të mishit, çmimi i këtyre kafshëve që vijnë të gjalla është 3 herë më i lirë se ai i atyre që rriten në vend. Shkak për një kosto kaq të ulët për mishin e prodhuar jashtë, mbetet teknologjia e zhvilluar dhe metodat e rritjes artificiale. Gjedhë të gjalla vijnë në Shqipëri për t’u shitur pastaj në tregun vendës, në më të shumtën e rasteve si prodhime vendi, edhe nga Rumania, Kosova dhe Maqedonia. Mishi brazilian, baza e përpunimit vendësDuke qenë se blihet me një kosto tejet të ulët në Brazil, vetëm 1-3 euro kilogrami, të dhënat tregojnë se nga ky shtet vjen lënda e parë për pjesën më të madhe të industrisë së përpunimit të mishit në vend. Shkak për këtë penetrim të shpejtë të këtyre produkteve mbetet çmimi i ulët që konkurron prodhimin vendës që mbetet i një cilësie të lartë, por që nuk mund të identifikohet më, në këtë kaos që ndodhen tregjet shqiptare.

+++

Kaosi i tregut

Duke mos patur asnjë shenjë dalluese, etiketë apo çdo certifikatë që mund të bëjë identifikimin e produktit, mishit që shitet ngado në këtë vend, askush nga blerësit nuk mund t’ia dijë origjinën. Çmimet e tij janë të njëjta, duke e bërë edhe më të vështirë vlerësimin e cilësisë së tij nga ana e blerësit. Kudo ku shitet mish i freskët, përgjigja e vetme është “kemi mish vendi”. Por e vërteta është tjetër, pasi gjatë një viti kemi një sasi të madhe mishi që vjen nga jashtë, dhe duke mos patur statistika të sakta për ata që prodhohet dhe shitet nga vendi, ndarja e tregut mbetet e vështirë. Specialistët e Ministrisë së Bujqësisë bëjnë të ditur se ky mish përdoret për përpunim në pjesën më të madhe të sasisë së importuar, ndërsa nga ana tjetër rezulton se 30% e tij vjen nga kafshët e gjalla që importohen dhe shiten në tregjet e vendit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›