E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hashim Thaçi: Rama, lideri i së ardhmes

 

Kryetari i Bashkisë së Tiranës i uroi mirëseardhjen Thaçit në emër të qytetarëve të Tiranës, duke i dhuruar “Çelësin e Qytetit”

“Ishte kënaqësi të bashkëbisedonim me liderin e ardhshëm të Shqipërisë e natyrisht me njeriun e ndryshimeve”

TIRANË- Ashtu si një ditë më parë, Kryeministrit të parë të Kosovës së pavarur, Hashim Thaçit i është rezervuar një pritje tepër dinjitoze edhe nga kreu i Bashkisë së Tiranës, njëkohësisht kryetari i opozitës Edi Rama. Pavarësisht se me një protokoll më të thjeshtë se ai shtetërori, Kryeministri kosovar Hashim Thaçi dhe delegacioni i lartë qeveritar që shoqëronte, është pritur në hyrje të Bashkisë nga kryetari Edi Rama, ku natyrisht nuk kanë munguar as Himnet e të dyja vendeve të ekzekutuara nga banda frymore e qytetit. Duke e cilësuar vizitën e Kryeministrit të Kosovës një privilegj, Kryetari i Bashkisë së Tiranës i uroi mirëseardhjen Thaçit në emër të gjithë qytetarëve të Tiranës duke i dhuruar dhe “Çelësin e Qytetit”, simbolin e mikpritjes për të dhe për të gjithë kosovarët. Rama në fjalën e vet, nuk ka ngurruar ta cilësojë këtë vizitë si një nga momentet më të rëndësishme të gjithë jetës së tij si kryetar i Bashkisë së Tiranës. “Ishte vizita më e veçantë, qysh kur unë jam Kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe ishte një privilegj për mua, që historia e desh që të isha unë bashkë me ekipin e bashkisë që të prisnim Qeverinë e parë të Pavarësisë dhe Komandantin e djeshëm të Luftës Çlirimtare dhe Kryeministrin e sotëm të Kosovës, të cilin pata nderin në emër të të gjithë qytetarëve të Tiranës, t’i shpreh mirëseardhjen dhe t’i dhuroj “Çelësin e Qytetit”, si shenjë simbolike të mikpritjes për të dhe për të gjithë shqiptarët e Kosovës në këtë qytet që është qyteti i tyre, që është vendi ku kanë lindur dhe janë kultivuar ambiciet e Shqipërisë dhe Kosovës evropiane”,- u shpreh kryebashkiaku Edi Rama. Nga ana e tij, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi duke falënderuar shqiptarët dhe Ramën për mikpritjen e rezervuar, nuk ka munguar ta cilësojë këtë fundit edhe si liderin e Shqipërisë së ardhshme. Gjithashtu Thaçi në fjalën e vet të rastit, duke iu referuar pikërisht ndryshimeve që ka pësuar Tirana gjatë këtyre viteve, e ka konsideruar kryebashkiakun Edi Rama si një model të ndryshimit për të gjithë Ballkanin. “Për mua është një kënaqësi dhe është një nder. Unë jam mirënjohës në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës e dua të veçoj se, ashtu siç e keni ndryshuar Tiranën, do ta ndryshoni për të mirë të gjithë Shqipërinë. Ishte një kënaqësi të bashkëbisedonim me liderin e ardhshëm të Shqipërisë e natyrisht me njeriun e ndryshimeve aktuale dhe model për ndryshimet në gjithë rajonin tonë”,- tha kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi. Ndërkohë në ditën e tytë të vizitës së tij, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka vijuar axhendën e tij edhe me disa udhëtime në qytetin e Durrësit, Vlorës, Kavajës dhe Fierit. Në Durrës, ndërmjet të tjerave, kryeministri kosovar ka inauguruar pllakatin e emërtimit të Rrugës “Pavarësia”. I shoqëruar edhe nga kryeministri Sali Berisha, Thaçi ka vizituar më pas qytetin bregdetar të Vlorës, ku është nderuar nga Bashkia e këtij qyteti me titullin “Qytetar Nderi”. Ndërkohë që dy Kryeministrat në fjalët e tyre të rastit janë shprehur edhe një herë për sheshimin e të gjitha barrierave që pengojnë një bashkëpunim më të madh midis dy vendeve me identitet të njëjtë kombëtar. Thaçi nga ana e tij është shprehur entuziast, duke deklaruar se në Kosovë, brenda vitit, do të nisë puna për rrugën që lidh Shqipërinë me Kosovën. Ai ka ndaluar edhe në qytetin e Kavajës, ku ka kujtuar sakrificat e atyre që mbetën dëshmorë të pavarësisë së Kosovës, siç ishte edhe Dëshmori i Kombit, Indrit Cara, i cili dha jetën në moshën 20-vjeçare në luftën në Kosovë, në vitin 1999. I shoqëruar edhe nga homologu shqiptar, ai vizitoi familjen e Indrit Carës dhe bëri homazhe në bustin e vendosur në qendër të qytetit, në kujtim dhe nderim të veprës së tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›