Grabitje e armatosur në një pompë të derivateve

Persona të maskuar dhe të armatosur, raportohet të kenë grabitur një shumë të konsideruar të parave në një pompë të derivateve në fshatin Uglare të Zubin Potokut.
Rasti është raportuar të ketë ndodhur mbrëmë rreth orës 21:00, në pompën e derivateve të ankuesit 33 vjeçar, të përkatësisë etnike serbe.
“Njësitë e para reaguese të stacionit policor Zubin Potok, kanë kontaktuar ankuesin i cili ka deklaruar se dy persona të maskuar dhe të armatosur, njëri me një armë tytë shkurtër dhe një tjetër me armë tytë gjatë, kanë hyrë në pompën e derivateve dhe nën kërcënim të armëve nga ai kanë marrë një shumë prej mbi 8000 (tetëmijë) euro, para të gatshme”, thuhet në njoftimin e policisë.
Në vend të ngjarjes janë paraqitur hetuesit rajonal të Mitrovicës, të cilët kanë filluar hetimet e tyre të menjëhershme për identifikimin e mundshëm të kryesve të këtij akti kriminal.
Sipas deklaratave të siguruara nga viktimat e rastit, thuhet se dy të dyshuarit e armatosur, kanë shtënë disa herë me armët e tyre në dispozicion, duke dëmtuar lokalet e pompës së derivateve, ndërsa kanë futur nën kontroll viktimat e tyre para se të grabisnin shumën e parave.
Sulmuesit janë larguar në këmbë në drejtim të panjohur ndërsa besohej se një veturë tjetër priste pakës më larg nga vendi i ngjarjes për të dyshuarit.
Nuk është raportuar për të lënduar në njerëz.
Policia e Kosovës në rajonin e Mitrovicës, menjëherë pas rastit të raportuar, ka aktivizuar planin operativ “unaza e çeliktë” me qëllim të mobilizimit të njësive patrulluese në kërkim dhe mbledhje të informatave të mundshme për kryesit e aktit kriminal.
Hetimet lidhur me rastin e kualifikuar si “grabitje” nga neni 329 i Kodit Penal të Kosovës, janë duke u ndjekur nga hetuesit rajonal kundër krimeve serioze të rajonit të Mitrovicës./Indeksonline/