Grabitje me armë në mes të Tiranës, plagoset ish-Drejtori i ÇEZ-it në Laç
Rikthehen grabitjet me armë zjarri në kryeqytet. Një kazino në mes të qytetit, në rrugën Bardhyl është vënë në shënjestër të grabitjes, ku dy persona janë futur në ambientet e kazinosë dhe nën kërcënimin e armëve kanë tentuar të marrin paratë.
Mësohet se grabitësit në përpjekje për të kryer grabitjen kanë qëlluar me armë, duke lënë të plagosur një klient. Pas kësaj dy grabitësit janë tërhequr, duke mos e çuar deri në fund misionin për të cilin ishin nisur, duke u larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes.
Policia e mbërritur në vendngjarje bën me dije se i plagosur ka mbetur 45-vjeçari Viktor Skeja, ish-Drejtor i ÇEZ-it në Laç, i cili është dërguar menjëherë në spital. Burime nga bluzat e bardha bëjnë me dije se plumbat e kanë marrë në pjesën e këmbëve dhe se gjendja e tij është jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkaq blutë vijojnë mbledhjen e provave dhe marrjen në pyetje të dëshmitarëve okularë. Sekuestrimi i kamerave të sigurisë së kazinosë dhe bizneseve përreth pritet të ndihmojnë edhe në identifikimin e autorëve të grabitjes.