Grabitjet kishin shqetësuar banorët
Situata e krijuar në zonën pranë tregut elektrik, ku brenda një jave u shënuan disa vjedhje me dhunë, ishte rënduar nga dita në ditë dhe banorët ndiheshin të frikësuar të dilnin në orët e pasdites të pashoqëruar. Por, tashmë, kjo situatë ka marrë fund me arrestimin e dy autorëve të dyshuar. Banorët deklaronin se në orët e pasdrekes disa prej rrugëve që kryqëzohen me njëra-tjetrën boshatisen dhe ka shumë pak kalimtarë. Kjo ishte edhe koha kur dy personat dilnin për të grabitur. Me një motor, të veshur sportivë, ata mendohet se bridhnin nëpër rrugë e rrugica, derisa pikasnin ndonjë grua të moshës mesatare. Një dëshmitar, i cili banon në katin e pestë të pallatit, pranë të cilit ndodhi një nga grabitjet, rrëfeu se ngjarja ndodhi në orët e vona të mbrëmjes. "Unë po pija cigare në ballkon dhe rastësisht dëgjova zhurmën e motorit. Vura re që iu afruan një gruaje, i tërhoqën çantën me forcë dhe u larguan. Gruaja, që ishte rreth dyzetave kërkoi ndihmë, por në atë kohë, ata ishin larguar. U afruan disa banorë të zonës dhe njoftuan policinë, madje pashë se disa civilë erdhën shumë shpejt, madje edhe makina policie, por nuk arritën të kapin asnjë", rrëfeu ai.