Reagimet e "pashpresa" të drejtuesve të policisë
Moszbatimi i vendimit solli dorëzimin e policisë që në fillimet e saj. Pavarësisht se janë kërkuar shpjegime herë pas here, ata nuk kanë mundur të gjejnë një zgjidhje. Madje, në një dokument të vënë në dispozicion për gazetën, mësohet se Drejtoria e Ekonomisë dhe Drejtoria e Buxhetit, në projektplanet vjetore dhe ato afatmesme, kanë kërkuar fondin e nevojshëm për trajtimin me ushqim të punonjësve të policisë, pasi nuk ka mundësi të tjera. "Në buxhetin e akorduar janë përfshirë nevojat më prioritare që mbështesin strukturat operacionale, ndërsa kërkesat për trajtimin me ushqim për vaktin "drekë" janë përfshirë në fondin mbi limit. Me gjithë argumentimin tonë deri në Ministrinë e Financave, asnjëherë nuk jemi financuar për kërkesat shtesë", deklarohet në një nga argumentet në dokumentin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Aktualisht, nga të dhënat zyrtare të policisë mësohet se në buxhetin e akorduar gjatë vitit 2008 dhe 2009 janë financuar vetëm punonjësit e Forcave Speciale, FNSH-të, studentët dhe kursantët në Qendrën e Formimit Policor, punonjësit që shërbejnë në mjetet lundruese dhe të ndaluarit deri në sqarimin e pozitës së tyre. Më tej, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka shprehur interesin e saj që punonjësit të trajtohen sipas ligjit për vaktin e ushqimit, në zbatim të akteve normative, sepse vendimi i qeverisë është hartuar pikërisht prej tyre. Më tej, burimet zyrtare të policisë janë shprehur se nuk mund të financojnë rreth 400 milionë lekë në vit ushqim për vaktin e punonjësve të policisë pa ndihmën e Ministrisë së Financave dhe Këshillit të Ministrave, pasi ndikimi i financimit të këtij shërbimi në realizimin e misionit të Policisë së Shtetit do të ndikonte në mosfinancimin e nevojave të tjera prioritare si uniformat (që ende nuk janë realizuar), karburantet dhe mirëmbajtja e mjeteve lëvizëse. Megjithatë, një zgjidhje për këtë problem nuk dihet se kur do të vijë për të gjithë punonjësit e policisë.
Ble. Gi.
Ble. Gi.