Vendimi që policët s‘e gëzuan asnjëherë
Duke u menduar e mira për punonjësit e policisë, vendimi i Këshillit të Ministrave dhe urdhri për trajtimin me ushqim të punonjësve të policisë, në kohën kur u miratua iu shpërnda gjithë drejtorive të policisë, por asnjëherë nuk gjeti zbatim. Dokumentet për këtë urdhër u mbajtën sekret nga drejtuesit e policisë, pasi nuk kishin forcë të kërkonin buxhet mbi këtë problem. Pikërisht në kohën kur Xhevdet Kopani ishte zëvendësdrejtor i Policisë së Shtetit, duke u bazuar në urdhrin e ministrit, dërgoi për informacion këtë urdhër në të gjithë drejtoritë e policisë, që të fillojë zbatimi. Por, shumë shpejt, nisën ankesat e para se nuk kishin buxhet të mjaftueshëm për të përballuar këto shpenzime, duke harruar të drejtat e punonjësve të policisë për këto përfitime. Në këto kushte u lëshua një urdhër tjetër që mos të merrej parasysh nevoja e ushqimit për punonjësit e policisë. Megjithatë, kjo nuk u publikua asnjëherë dhe vazhdon të mbetet enigmatike mënyra e fshehjes dhe mosrealizimit të këtij vendimi qeverie. Madje, shumica e efektivëve të policisë, duke mos ditur të drejtën e tyre për të paktën një vakt ushqimi në ditë, ose të drejtën për të marrë paratë për këtë vakt çdo fund muaji, nuk kanë ngritur zërin asnjëherë. Vendimi i qeverisë, punonjësve të policisë nuk u është interpretuar asnjëherë siç duhet dhe që prej më se një viti, atyre u mbetet borxh shteti shqiptar, duke e thelluar atë nga dita në ditë. Ble. Gi.